POLITIKË /

"Vetëm dorëheqja, nuk marrim pushtet me dhunë" Berisha për skenaret e protestës më 24 janar

Kreu i PD paralajmëron përshkallëzim protestash dhe mohon dhunën: “21 janari ishte vepër e Ramës. Ne kërkojmë vetëm dorëheqjen”

Shkruar nga Versus

"Vetëm dorëheqja, nuk marrim pushtet me dhunë" Berisha
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së, ku u vendos që më 24 janar të mbahet protesta e radhës kombëtare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe, sipas opozitës, skandaleve të rënda që përfshijnë zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe AKSHI-n.

Berisha theksoi se opozita nuk synon marrjen e pushtetit me dhunë, duke iu referuar ngjarjeve të 21 janarit 2011, për të cilat fajësoi drejtpërdrejt Edi Ramën.

“21 janari është vepër e Edi Ramës, e burracakut dhe frikacakut Edi Ramës. Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë. E ka deklaruar këtë më 12 dhjetor 1990 dhe ka qenë konsekuent në këtë linjë.”

Sipas kryedemokratit, protesta e 24 janarit do të jetë shprehje e një zemërimi të madh popullor, i nxitur nga ajo që ai e cilëson si kapje e shtetit dhe korrupsion masiv.

“Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur. Mesazhi ynë për narkoshtetin është: ik një minutë e më parë. Jemi të vendosur të shkojmë gjer në fund për largimin e kësaj organizate kriminale.”

Berisha iu referua edhe deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke thënë se ato zbulojnë miliarda euro të vjedhura dhe të amnistuara.

“Në 5 dosje nxori rreth 12 miliardë euro të amnistuara, të vjedhura nga qeveritarët, nga Edi Rama dhe anturazhi i tij dhe të amnistuara nga SPAK-u i partisë.”

I pyetur nëse protesta e 24 janarit mund t’i ngjajë asaj të 21 janarit, Berisha e hodhi poshtë kategorikisht këtë krahasim, duke deklaruar se Rama ndodhet në “grahmat e fundit politike”.

“Edi Rama është i pashpresë. Dhe zemërimi popullor do të bjerë mbi të.”
Në lidhje me mungesën e një proteste të përbashkët me të gjitha partitë opozitare, Berisha tha se dyert janë të hapura për këdo që dëshiron të luftojë kundër qeverisë.

“Të gjithë ata që janë të vendosur të luftojnë të keqen që quhet Edi Rama, vendin e kanë të hapur.”
Ai përmendi edhe protestën e vazhdueshme të Adriatik Lapajt para Kryeministrisë, duke theksuar se e ka përgëzuar publikisht.

Sa i përket mobilizimit, Berisha tha se nuk do të ketë kuota për deputetët apo drejtuesit e PD-së për të sjellë protestues.

“Njerëzit i sjell këtu revolta e brendshme shpirtërore, urrejtja e pakufishme që kanë për Belinda Ballukun, Edi Ramën, Lindat e tij.”
I pyetur nëse opozita ka një skenar të qartë për protestën, Berisha u shpreh se është transparent dhe se mediat do të informohen në çdo hap.

“Nuk do të gjeni kurrë një njeri më transparent se unë. Çdo ditë u them atë që kam ndërmend të bëj.”
Në fund, kreu i PD-së e bëri të qartë se kërkesa kryesore e protestës së 24 janarit do të jetë dorëheqja e qeverisë.

“Dorëheqja, dorëheqja, vetëm dorëheqja. Shqipëria nuk do më t’i shohë këta njerëz. Kanë fituar një urrejtje të madhe popullore.”
Protesta e 24 janarit pritet të jetë një tjetër përplasje e fortë politike mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa Berisha paralajmëron se beteja sapo ka nisur. 

Poll