Disa javë pas aksionit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video nga lëndina përpara Kullës së Ngujimit, ku dikur ishin ngritur disa shtëpiza druri që tashmë janë shembur.
Pamjet tregojnë një ceremoni martesore që zhvillohet në ambientin e çliruar pas prishjeve, ndërsa Rama shoqëron videon me përshkrimin: “Ja dhe Thethi, kurora e artë e Shqipërisë”.
Kjo ndërhyrje e fundit e kreut të qeverisë vjen mes debatit publik që ka shoqëruar aksionin e prishjeve, i cili u përball me kundërshtimin e fortë të disa banorëve dhe sipërmarrësve lokalë, të cilët u organizuan në protesta për disa ditë rresht.
Banorët argumentuan se kishin investuar mijëra euro në strukturat turistike, të ndërtuara , sipas tyre, në mënyrë të integruar me natyrën dhe traditën e zonës. Shumica e shtëpizave ishin prej druri, jo betoni, por gjithsesi ishin pa leje ndërtimi, çka u bë baza ligjore për ndërhyrjen e IMT-së.
Në reagimet e tyre, banorët e zonës së Thethit e konsideruan aksionin si të njëanshëm dhe jo në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, ndërsa autoritetet shtetërore mbrojtën vendimin me arsyetimin se ndërtimet pa leje në parkun kombëtar cenojnë trashëgiminë natyrore dhe kulturore.
Kulla e Ngujimit, ku u zhvillua edhe dasma e publikuar nga kryeministri, është një nga monumentet më të njohura në Alpet Shqiptare dhe simbol i historisë së vendit. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, hapësira përreth saj është kthyer në lëndinë të hapur, pa ndërtimet që më parë e rrethonin. /Versus.al







