Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën sot me një video nga shembjet që janë bërë në zonën e Kepit të Rodonit ku përgjatë muajve para zgjedhjeve ishin ngritur dhjetëra ndërtesa ma leje duke zaptuar një pjesë të mirë të zonës së bregdetit.
Pamjet tregojnë dhjetëra ndërtesa të shembura me eskavator dhe eksploziv. Ndërsa kryeministri shkruan se “u shkulën të gjitha ngrehinat e tokës së xanun”.
“MIRËMËNGJES dhe me rivendosjen e rendit ligjor në trupin e mrekullueshëm të Kepit të Rodonit, ku u shkulën të gjitha ngrehinat e “tokës së xanun” e ku tanimë forcat e xhenjos po pastrojnë volumet e mëdha të inerteve, si edhe me vullnetin e plotë për ta vazhduar këtë kthesë të re për Rilindjen Urbane 2.0, ju uroj një ditë të mbarë”- shkruan kreu i qeverisë.
Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje nisi në zonën turistike të Thethit ku u shembën rreth 100 godina të ndërtuara pa leje. Banorët bënë rezistencë duke pretenduar se kishin investuar kursimet e tyre në agroturizëm dhe disa prej tyre akuzuan edhe zyrtarët shtetërorë se i kishin lënë të ndërtonin në këmbim të shumave monetare. Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje u shtri edhe në jug të vendit dhe në Durrës e Tiranë ku po lirohen hapësirat publike të zaptuara nga bizneset private. Versus.al







