
Sot në Tiranë në orën 19:00, dy partitë e mëdha politike në vend, PD dhe PS mbyllin fushatën elektorale pas një muaji takimesh në qarqe të ndryshme.
Demokratët kanë zgjedhur bulevardin e ri për t’u mbledhur për herë të fundit në këtë fushatë elektorale, ndërsa socialistët parkun olimpik në kryeqytet.
Kjo duket edhe si një “matje force” mes dy partive të mëdha, duke qenë se mbyllja e fushatës bëhet në të njëjtin qytet dhe në të njëjtën orë.
PD kërkon rikthimin në pushtet me koalicionin për Shqipërinë Madhështore, ndërsa PS kërkon të qeverisë për mandatin e katërt radhazi me Ramën i cili gjatë gjithë fushatës e përqendroi retorikën politike në premtimin se do të anëtarësojë vendin në BE, duke shmangur në një lloj mënyrë bilancin për vitet e qeverisjes apo programin e ri.
E shtuna, 10 maj, shënon heshtjen zgjedhore, ku ndalohet çdo lloj aktiviteti politik, publikim sondazhesh apo thirrje elektorale, ndërsa të dielën e 11 majit 3.7 milionë shqiptarë do të votojnë për Kuvendin e ri. Për herë të parë, voton edhe diaspora, me 245 935 emigrantë shqiptarë të regjistruar, prej të cilëve pjesa më e madhe kanë dorëzuar zarfet që kanë mbërritur në Shqipëri. Versus.al








