POLITIKË /

11 maji/ Fushata “e pasur” në fjalorin e fyerjeve dhe e varfër në idetë për zgjidhjen e problemeve

Shkruar nga Versus

11 maji/ Fushata “e pasur” në fjalorin e fyerjeve dhe e

Kur kanë mbetur edhe 6 ditë nga 11 maji, data e zgjedhjeve parlamentare, partitë politike po zhvillojnë takimet përmbyllëse elektorale në qarqe të ndryshme.

Pavarësisht se të shumtë janë analistët dhe komentuesit në rrjetet sociale që e kanë cilësuar fushatën elektorale si ‘pa gjallëri’ dhe pa asnjë ‘risi’, nuk mund të thuhet e njëjta gjë kur flasim për fjalorin e papërshtatshëm të përdorur para një audience të gjerë.

Ndërkohë që qytetarët prisnin një shpalosje të arritjeve dhe synimeve konkrete të PS që kërkon mandatin e katërt qeverisës, socialistët më së shumti u bazuan në retorikën e anëtarësimit të vendit në BE, duke proklamuar se ata janë të vetmit që mund ta bëjnë diçka të tillë.  Vetë kryeministri Edi Rama e zhvendosi të gjithë retorikën e tij politike në funksion të fyerjeve ndaj kundërshtarëve politikë me në krye Sali Berishën i cili kërkon rikthimin në pushtet të PD.

Rama e nisi fushatën e 10-të elektorale të tij, me etiketime si: bufi, këneta, zhaba, zhapikë, etj, të drejtuara ndaj opozitës. Ndërsa më tej e zgjeroi targetin e këtyre fyerjeve, duke quajtur gjysmat e burrave “qyrykë” në vend për shkak se sipas statistikave ata nuk votonin PS-në.


Kjo ngjalli jo pak reagime duke sjellë edhe video të publikuara nga diaspora në rrjetet sociale ku shumë shpreheshin se për shkak të gjuhës që Rama përdor, nuk do ta votonin. Kulmi u arrit kur Rama cilësoi të gjithë ata që votonin opozitën si “politikisht autikë” duke bërë që kreu i qeverisë të reflektonte për herë të parë dhe të dilte me një video ku kërkonte ndjesë.

Retorika ka qenë e ashpër edhe nga zyrtarët e tjerë socialistë, si ata qeveritarë, po ashtu edhe ata të pushtetit vendor dhe kandidatëve për deputetë të cilët kanë ‘huazuar’ etiketimet dhe fyerjet e përdorura nga kryeministri, për të shigjetuar kundërshtarët politikë. Madje mes tyre, kandidatja Zegjine Çaushi në Fier u bë virale për videot ‘tallëse’ ndaj Gazment Bardhit, pavarësisht mungesës së formulimit të një program konkret zhvillimi për zonën.

Një tjetër valë reagimesh erdhi pas spotit elektoral të kandidates Edona Bilali në Shkodër e cila paraqiste një pensionist të sëmurë i cili i kërkonte mjekut vetëm të bënte të mundur që të shërohej që ta votonte Bilalin në zgjedhje. Shpejt kandidatja e kuptoi gafën e bërë dhe e fshiu videon, megjithatë shija e hidhur mbeti.
Retorika e egër politike në këtë fushatë, nuk është kursyer as nga pala e demokratëve pavarësisht se në masë më të ulët. Në Dibër, policia kallëzoi në SPAK deputetin Xhelal Mziu së bashku me nipin e tij duke e akuzuar se ka sulmuar fizikisht zyrtarin Kalosh Murra.

Teksa Berisha u përqendrua më së shumti tek shpalosja e programit të PD dhe premtimet për jetesë më cilësore për qytetarët, kandidatët për deputetë në qarqe të ndryshme patën edhe momente ‘euforie’. Një prej tyre ishte ai i drejtuesit politik të Elbasanit, Tomor Alizoti i cili u bëri thirrje patronazhistëve dhe bandave që të mos u bënin presion njerëzve, duke iu drejtuar me togëfjalëshin “do t’ju hamë të gjallë”.

Më pas një tjetër incident ishte ai i përfshirjes së deputetit Bledion Nallbati në një përplasje fizike me një shofer kamioni në Korçë, ngjarje për të cilën u arrestua vëllai i tij.

Totalisht ndryshe paraqitet situata në fushatën e zhvilluar nga partitë e reja, kandidatët e të cilave po zhvillojnë takime më të vogla me qytetarët dhe kanë shënuar edhe rritje në sondazhet e bëra nga kompani të ndryshme në bashkëpunim me media shqiptare. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: