Pavarësisht se procesi i numërimit të votave brenda vendit, konsiderohet i mbyllur në të gjitha qarqet pasi nuk ka mundësi për ndryshim në ndarjen e mandatit, kanë mbetur ende 10 kuti të fundit në disa qarqe të ndryshme.
Për këto vonesa, ka reaguar edhe KQZ me anë të një njoftimi zyrtar ku u bën thirrje partive politike që të nxisin anëtarët e grupeve të numëruesve dhe komisionerët për të përmbyllur procesin brenda orës 24:00 të ditës së sotme.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje partive politike që kanë anëtarë në KZAZ dhe në GNV të marrin përgjegjësinë që u takon për të nxitur numëruesit dhe komisionerët në KZAZ-të ku ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave, që ky proces të përfundojë brenda afatit ligjor, konkretisht deri në orën 24:00 të ditës së sotme. Nuk ekziston asnjë arsye që ky proces të mos përmbyllet brenda këtij afati.
Duke njohur dhe respektuar të drejtën e kandidatëve për deputet për të vëzhguar dhe mbikëqyrur procesin e numërimit, i ftojmë ata të shmangin çdo përfshirje në komunikime të panevojshme apo ushtrim presioni ndaj numëruesve dhe komisionerëve.
Përgjegjësia për mosfinalizimin në kohë të procesit i takon plotësisht partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë dhe po ndërmerr të gjitha përpjekjet për të garantuar mbarëvajtjen dhe përfundimin e procesit’- njofton KQZ.
Më tej thuhet se numërimi nuk mbyllet brenda afatit të caktuar, personat përgjegjës do përballen me sanksione ligjore. Versus.al






