
Gjatë mbledhjes së zhvilluar në nënkomisionin për diasporën dhe migracionin, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka folur lidhur me votën e emigrantëve, duke bërë me dije se deri më datë 11 janar do të jetë ndërtuar platforma online ku mund të regjistrohen për të votuar.
Celibashi tha se është përgatitur edhe materiali ndërgjegjësues dhe informues që do të udhëzojë emigrantët sesi të jenë në gjendje të votojnë për në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
“Kemi filluar procesin dhe jemi drejt finalizimit të ndërtimit të platformës elektronike të regjistrimit. Besoj që para Krishtlindjeve do kemi një demonstrim të funksionaliteteve të këtij sistemi me qëllim që në datën 11 janar, kjo platformë të jetë funksionale dhe të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë. Kemi përgatitur gjithçka duhet për ndërgjegjësimin dhe informimin e votuesve nga jashtë. Po punojmë mbi dokumentacionin që do duhet për këtë proces dhe elemente të tjera”- tha Celibashi.
Nga ana tjetër, opozita kërkoi garanci për mbarëvajtjen e procesit. Deputeti Kreshnik Çollaku ngriti si shqetësim faktin se shumë prej emigrantëve që jetojnë jashtë, mund t’u ketë skaduar afati i vlefshmërisë së Kartës së Identitetit dhe pasaportës.
“Një ndër shqetësimet e përjetshme që kemi hasur në votën e emigrantëve që vinin për të votuar në Shqipëri, ka qenë vlefshmëria e dokumenteve të votimit. Për shkaqe që ne i dimë, jo çdo emigrant shqiptar që jeton jashtë kufijve kujdeset që të ketë pasaportë apo kartë ID të vlefshme. Mbase nuk e arrijnë dot në afat të kenë plotësuar këtë detyrim”- u shpreh Çollaku mes të tjerash. Versus.al








