
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka dalë në një konferencë për mediat për të dhënë informacion mbi ecurinë e procesit zgjedhor në 5 bashki deri në orën 09:00. Pjesëmarrja deri më tani paraqitet e ulët, ndërsa bashkia me pjesëmarrjen më të madhe është ajo e Matit ku deri më tani kanë votuar 6% e personave me të drejtë vote.
‘’Ajo çfarë vlen të theksohet është se nuk kemi patur asnjë problem me përdorimin e pajisjeve PEI. Sa i përket pjesëmarrjes, është 2.42% pjesëmarrja në total në të gjitha bashkitë. 1.49% në Vlorë, 2.57% në Berat, 3.36% në Cërrik, 6 % në Mat dhe 4.73% në Tepelenë.
Në këto zgjedhje duke bërë disa përmirësime në procesin e transmetimit të të dhënave, kemi mundësi të marrim informacion në kohë reale mbi përqindjen e pjesëmarrjes sipas grupmoshave. Në Vlorë, grupmosha mbi 65 vjeç janë 2.91% e pjesëmarrësve nga totali i atyre që kanë marrë pjesë deri më tani. Pjesëmarrja për moshat e reja paraqitet mjaft e ulët’’- u shpreh Celibashi.
Ndërsa përsëriti se në bashkinë e Tepelenës, numërimi do të bëhet me anë të Inteligjencës Artificiale.
‘’Do të aplikojmë numërimin e fletëve të votimit me Inteligjencën Artrificiale dhe ky informacion do jetë publik në kohë reale në faqen e internetit të KQZ’’- shtoi kryekomisioneri. Versus.al

