Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka prezantuar sot drejtorin e ri të Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, i cili merr detyrën pas drejtimit disavjeçar të Ardit Demiri.
Gjatë fjalës së saj, Balluku vlerësoi punën e bërë nga Demiri, duke theksuar se posta e Elbasanit, e drejtuar më parë prej tij, ka qenë një shembull suksesi për të gjithë sistemin postar në vend.
“E kam njohur Adin në krye të postës së Elbasanit, që pa dyshim është një nga më të mirat në Shqipëri. Me përkushtimin e tij dhe të gjithë skuadrës, ajo u kthye në model për postat e tjera. Më pas, ai udhëhoqi me pasion të jashtëzakonshëm Postën Shqiptare, duke e çuar drejt rezultateve konkrete,” – u shpreh Balluku.
Në vijim, zv/kryeministrja Balluku prezantoi Etjen Xhafajn si drejtuesin e ri të Postës Shqiptare, duke e cilësuar atë një profesionist me eksperiencë të gjatë dhe bashkëpunëtor të besuar.
“Etjen Xhafaj ka një karrierë të pasur në disa institucione nga Ministria e Ekonomisë, Financave, deri te ajo e Jashtme dhe Infrastruktura e Energjisë. Ai është një profesionist i sprovuar, që njeh mirë sistemin dhe do të çojë përpara procesin e optimizimit të shërbimeve postare e financiare,” – tha Balluku.
Balluku theksoi rëndësinë e digjitalizimit dhe modernizimit të Postës Shqiptare, duke paralajmëruar se institucioni do të marrë rol të ri strategjik, si front desk i Bankës Shqiptare të Zhvillimit dhe pjesë e platformës OpenBank, në kuadër të zgjerimit të shërbimeve financiare në mbarë vendin.
Në fund të fjalë së saj Balluku tha se Xhafaj ka një mision jo të lehtë, për të optimizuar shërbimet e Postës. Gjithashtu, Balluku deklaroi se shërbimet e Postës duhet të jenë profesionale dhe në përputhje me standardet europiane, pasi Shqipëria synon tashmë hapjen e grup-kapitujve dhe integrimin në Bashkimin Europian.
“Etjeni ka një barrë të rëndë për të përmbushur afate të shpejta për optimizimin e Postës Shqiptare. Rezultatet do të vijnë duke u përmirësuar akoma më shumë dhe më shpejt, pasi koha sot është elementi më i rëndësishëm, pasi Shqipëria synon të hapë të gjithë grup-kapitujt dhe të integrohet në BE”.
Nga ana e tij, drejtori i ri i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, deklaroi se Posta Shqiptare është një vlerë publike, më shumë se një institucion.
Ai u shpreh se institucionit i duhet të fokusohet tek sfidat që vijnë, duke përmirësuar shërbimet dhe duke garantuar funksionim efikas për qytetarët dhe bizneset.
Etjen Xhafaj vuri theksin te sfidat e këtij institucioni. “Ky institucion ka më shumë se një shekull që ekziston dhe jemi përballë një sfidë përpara. Duhet të fokusohemi tek ajo që vjen dhe të garantojmë një shërbim cilësor për të gjithë qytetarët”./Versus.al
