AKTUALITET /

Ermal Onuzi u dorëhoq, Simon Zereci komandohet drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës (FOTO)

Simon Zereci komandohet në postin e Drejtorit të Gardës së Republikës. Pas largimit të Ermal Onuzit, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka komanduar Simon Zerecin i cili deri më tani ka mbajtur postin e zv/drejtorit të Gardës së Republikës.

Shkruar nga Versus
Ermal Onuzi u dorëhoq, Simon Zereci komandohet drejtor i
Simon Zereci

Pas dorëheqjes së Ermal Onuzit, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka vendosur të komandojë si Drejtor të Përgjithshëm të Gardës, Simon Zerecin.

Zereci, i cili deri më tani mbante detyrën e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, vjen në krye të institucionit me përvojë disavjeçare brenda Gardës. Emërimi i tij shihet si një lëvizje që synon të garantojë vazhdimësinë, qëndrueshmërinë dhe profesionalizmin e institucionit, veçanërisht në një kohë kur sfidat e sigurisë po shtohen.

Largimi i Ermal Onuzit nga detyra, që vjen pas dorëheqjes së tij, u bë publik nga Ministria e Brendshme pa dhënë detaje të mëtejshme. Ndërkaq, Zereci pritet të udhëheqë Gardën e Republikës, përgjegjëse për mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore, si Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, si dhe të objekteve me rëndësi të veçantë.

Kush është Simon Zereci: 

Simon Zereci ka përfunduar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe më pas ka ndjekur studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin “Gjithëarmësh”.

Karrierën ushtarake e nisi në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, fillimisht si Komandant Toge në Repartin Ushtarak Zadrimë, më pas si Shef Stërvitjeje e të tjerë. Në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku shërbeu në një sërë funksionesh, si: Komandant Toge; Specialist për Ruajtjen Fizike në Drejtorinë e Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komanant Toge në Kompaninë Operative; Zëvendëskomandant i Kompanisë Operative;  Përgjegjës i grupit të shoqërimit të Ministrit të Rendit Publik; Oficer shoqërues pranë Zyrës për Mbrojtjen e Personaliteteve; Shoqërues në grupin mbështetës në Degën e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komandant Grupi në Njësinë Speciale; e të tjerë.

Gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake, është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke rrezikuar edhe jetën në krye të detyrës. Në shtator të vitit 1998 është plagosur gjatë shërbimit, teksa mbante funksionin e Zëvendëskomandantit të Kompanisë Operative.

Zereci ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, si: kurs për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt; trajnim për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore me instruktorë amerikanë; program ndërkombëtar sigurie i zhvilluar nga specialistë të sigurisë amerikane; trajnim në teknikat e avancuara të vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”, e të tjerë.

Në vitin 2020 mori gradën Kolonel, e cila me sistemin e ri të gradave u konvertua në Drejtues i Parë. Ndërsa grada Drejtues i Lartë iu dha kur me urdhër të Ministrit të Brendshëm, u emërua Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës. Versus.al

Poll