
Ylli botëror i golfit Tiger Woods u lirua dhe ju caktua masa e sigurisë detyrim paraqitje në gjykatë të premten, disa orë pas aksidentit ku Land Rover-i i tij përplasi një kamion, u rrokullis dhe u ndal në anën e shoferit, ndërsa Woods u arrestua për dyshimin e drejtimit nën ndikimin e medikamenteve.
Sherifi i Martin County, John Budensiek, tha se Woods po tentonte të kalonte një kamion në një rrugë të ngushtë dyvijëshe pranë rezidencës së tij në Jupiter Island, rreth orës 14:00. Automjeti goditi një rimorkio, doli nga rruga dhe u ndal i rrotulluar në anën e shoferit.
Woods ishte vetëm në makinë dhe arriti të dilte përmes derës së pasagjerit. Hetuesit vërejtën shenja të ndikimit dhe ai iu nënshtrua testeve në rrugë para se të merrej në pranga. Një test i frymëmarrjes nuk tregoi praninë e alkoolit, dhe autoritetet besojnë se ndikimi ishte për shkak të medikamenteve ose drogës. Në automjet nuk u gjetën substanca të tjera, ndërsa Woods refuzoi të kryente testin e urinës. Ai u akuzua për drejtim nën ndikim me dëmtim prone dhe refuzim për t’iu nënshtruar testimit të ligjshëm.
Asnjë person nuk u lëndua, por sherifi Budensiek theksoi se rezultati mund të kishte qenë shumë më i rëndë për shkak të rrugës së ngushtë.
I pyetur për aksidentin, presidenti Donald Trump e përshkroi Woods si “mik të afërt” dhe tha se ndihej keq kur mori lajmin. “Ai ka disa vështirësi. Ka pasur një aksident dhe kaq di. Është një mik shumë i afërt i imi ... një person i jashtëzakonshëm, një njeri i jashtëzakonshëm,” tha Trump. /VERSUS

