Shuk Orani krijon një diskurs mes njeriut dhe makinës.
Këtë të mërkurë, Galeria GOCAT u shndërrua në skenën e një përballjeje artistike të veçantë, me hapjen e SHIFT, ekspozitës së parë personale në Shqipëri të artistit Shuk Orani, nën kurimin e Elton Koritarit.
Më shumë se një ekspozitë, SHIFT shfaqet si një përvojë, një kalim mes asaj që shihet dhe asaj që i reziston shikimit, mes sigurisë së sistemeve dhe paparashikueshmërisë së instinktit njerëzor
“Jam shumë i lumtur që më në fund po prezantohem në Shqipëri,” u shpreh artisti gjatë hapjes. “Ideja ka lindur më herët, por tani ka ardhur momenti dhe e kemi realizuar. Falenderoj Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë dhe Fondacionin MANE që e mundëson këtë ekspozitë, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët.”

I lindur në Prishtinë dhe i vendosur në Gjermani, Orani sjell në Tiranë një trup veprash monumentale abstrakte, të rrënjosura në traditën rigoroze të pikturës evropiane të pasluftës.
Megjithatë, këtu telajot e tij hyjnë në një dialog të papritur dhe të fuqishëm, me një inteligjencë artificiale që e pasqyron, e studion dhe madje i përgjigjet atij.
Siç u shpreh Ena Bulku, Drejtoresha e Galerisë GOCAT:
“SHIFT sjell në galeri risinë e inteligjencës artificiale në shërbim të artit dhe krijimtarisë. Çfarë e frymëzon një artist dhe çfarë ai krijon, në këtë rast inteligjenca artificiale bëhet një avatar i vetë portretit të artistit, që mund ta dëgjoni edhe duke debatuar me vetveten.”
Por termi SHIFT nuk është thjesht për teknologjinë. Është për tensionin.
Për hapësirën e brishtë dhe elektrike ku intuita njerëzore përballet me logjikën e makinës.
Brenda ekspozitës, vizitorët ftohen nër ambiente kontrastuese, njëri i ndriçuar, i rregullt dhe plotësisht i lexueshëm; tjetri i zhytur në errësirë, ku kuptimi duhet kërkuar, zbuluar dhe ndjerë.

Në këtë udhëtim, vizitori bëhet më shumë sesa një vëzhgues. Ai bëhet pjesëmarrës, duke provuar pasigurinë, duke ndërtuar përvojën e vet dhe duke u përballur me kufijtë e shikimit dhe njohjes.
Kuratori Elton Koritari e vendos këtë ekspozitë si një “shift” konceptual dhe fizik, një lëvizje jo larg traditës, por përmes saj, duke mbartur peshën e pikturës dhe duke e hapur atë ndaj dimensioneve të reja të kërkimit.
Në thelb, SHIFT shtron një pyetje që vlen edhe pasi largohesh nga galeria: çfarë mbetet në mënyrë të pakthyeshme njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale?
Ekspozita është e hapur për publikun me hyrje të lirë dhe do të qëndrojë e hapur deri më 3 maj 2026, në Galerinë e Artit Bashkëkohor në Tiranë.

