AKTUALITET /

"Tranzit shpk" i Andi Balltës, superstruktura "peshkaqen” që po gllabëron sistemin e kredive, mbledhjen e borxheve dhe ndërtimin

Sipas të dhënave të kompanisë Tranzit, një pjesë e strukturës pronësore lidhet me kompani të regjistruara në juridiksione offshore, përfshirë Ishujt Kajman.

Shkruar nga Versus
"Tranzit shpk" i Andi Balltës, superstruktura
Andi Ballta

Një strukturë komplekse kompanish financiare, bankare dhe ndërtimi po ngre gjithnjë e më shumë pikëpyetje mbi përqendrimin e fuqisë ekonomike në Shqipëri. Në qendër të këtij rrjeti qëndron kompania Tranzit SHPK, e njohur fillimisht si kompani për mbledhjen e kredive të këqija, por që sot kontrollon ose lidhet me një zinxhir institucionesh financiare dhe kompanish investimi. Në qendër të këtij grupi shfaqet prej vitesh emri i Andi Balltës, i cili në struktura të ndryshme rezulton: administrator, aksioner, përfitues fundor, ose person me rol kontrolli efektiv.

Megjithëse pronësia formale e disa kompanive kalon përmes fondeve të investimit apo strukturave offshore, dokumentet publike tregojnë se Ballta ka pasur rol kyç në drejtimin strategjik dhe zgjerimin e grupit ndër vite.

Sipas dokumenteve financiare dhe të dhënave publike, Tranzit zotëron American Bank of Investments (ABI Bank), institucionin financiar NOA, A.I.D.A dhe një sërë kompanish të tjera të lidhura me investime dhe pasuri të paluajtshme. Ndërkohë vetë si kompani zotërohet në masën 80 për qind nga MOSCOPOLE, shoqeri e themeluar ne Delaëare, Shtetet e Bashkuara te Amerikës, 100 për qind në pronësi të Andi Balltës dhe me nga 10 për qind të Neë Century Holdings XI, L.P,shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e regjistruar në Ishujt Cayman dhe NCH Balkan Fund, LP, gjithashtu shoqëri me përgjegjësi të kufizuar regjistruar në Ishujt Cayman.

Vetëm në vitin 2024, kompania Tranzit, në pronësi të 3 kompanive të mësipërme,deklaroi mbi 2.6 miliard lekë të ardhura nga dividendët, ndërsa aktiviteti i saj operativ rezulton shumë më modest.

Nga mbledhja e borxheve te kontrolli i sektorit financiar

Tranzit u bë e njohur në treg si kompani që blinte dhe administronte kredi të këqija. Ky sektor ka qenë në qendër të debatit publik pas skandalit të mikrokredive dhe akuzave për metoda agresive të mbledhjes së borxheve ndaj qytetarëve.

Ndërsa kompani si Micro Credit Albania, ADCA apo FINAL përfunduan në hetime ose procese gjyqësore, Tranzit jo vetëm që mbeti jashtë vëmendjes së hetimeve publike, por zgjeroi ndjeshëm aktivitetin e saj.

Sot, ky grup i lidhur me Andi Balltën kontrollon ose ushtron ndikim në bankë të nivelit të dytë ABI BANK, institucion mikrofinance, kompani investimi, kompani të pasurive të paluajtshme, si dhe struktura holding të regjistruara jashtë Shqipërisë.

Kjo ngre pyetjen thelbësore: A po krijohet një superstrukturë financiare që kontrollon njëkohësisht dhe dhënien e kredive, mbledhjen e borxheve, dhe përvetësimin e kolateralit?!

Bilancet që ngrenë pikëpyetje

Pasqyrat financiare tregojnë se Tranzit deklaroi fitime kolosale në vitet 2023 dhe 2024, kryesisht nga dividendët.

Në vitin 2024: të ardhurat operative të kompanisë ishin vetëm disa qindra milionë lekë, ndërsa dividendët kaluan 2.6 miliard lekë.

Kjo tregon se fitimi nuk buron nga aktiviteti normal i kompanisë, por nga pjesëmarrjet në kompani të tjera të grupit.

Një tjetër element i rëndësishëm është rritja e menjëhershme e “investimeve në filial”, nga rreth 79 milion lekë në mbi 2.5 miliard lekë, pas blerjes së NOA-s.

Megjithëse këto operacione mund të jenë ligjore, ekspertët financiarë zakonisht kërkojnë transparencë maksimale për origjinën e fondeve, vlerësimin e investimeve, transaksionet brenda grupit si dhe lëvizjen e kapitalit drejt strukturave offshore. A i është nënshtruar kjo kompani një auditimi të tillë?! Pak vështirë të thuhet, ndërsa prej vitesh ABI BANK dhe disa kompani të tjera kanë qenë nën ‘sqetullën’ e njerëzve të veshur me pushtet absolut.

Struktura offshore dhe mungesa e transparencës

Sipas të dhënave të kompanisë Transit, një pjesë e strukturës pronësore lidhet me kompani të regjistruara në juridiksione offshore, përfshirë Ishujt Kajman.

Përdorimi i strukturave offshore nuk është automatikisht i paligjshëm. Shumë fonde investimi ndërkombëtare i përdorin për arsye fiskale dhe organizative. Por nisur nga eksperienca, jo vetëm shqiptare, kompanitë të regjistruara në këto juridiksione, jo rrallë përdoren ‘për të zhdukur paratë’. Ndërkohë një tjetër risk lidhet dhe me faktin se kur bankat, institucionet e mikrokredisë, kompanitë e mbledhjes së borxheve dhe ndërtimi kontrollohen nga i njëjti rrjet, nga autoritetet duhet të ngrihen shqetësime serioze për konflikt interesi, përqendrim të rrezikshëm ekonomik dhe dhe mungesë transparence mbi përfituesit realë.

Në këtë pikë, roli i Andi Balltës si figurë qendrore e grupit merr rëndësi të veçantë, pasi në dokumente të ndryshme ai rezulton me rol kontrolli, ndikim strategjik, dhe lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me kompanitë kryesore të grupit.

Nga kredia te ndërtimi

Së fundmi, grupi duket se po zgjerohet edhe në sektorin e ndërtimit dhe zhvillimit të pronave bregdetare.

Kompania BAY VIEË ALTERNATIVE INVESTMENT, e lidhur me ABI Bank dhe struktura të tjera të grupit, është përfshirë në projekte të mëdha në zonën e Vlorës. Kjo kompani do të zhvillojë një pronë prej 32 hektarësh në zonën e Poros, në Vlorë, e cila është vendosur si kolateral pranë ABI Bank. Shoqëria është themeluar në korrik 2025 nga Banka Amerikane e Investimeve, e cila zotëron rreth 99% të aksioneve, ndërsa pjesa e mbetur më pak se 1% kontrollohet nga Andi Ballta. Në mënyrë indirekte, kontrolli i kompanisë mbetet te Ballta, pasi ABI Bank është në pronësi të TRANZIT SHA, ndërsa vetë TRANZIT kontrollohet në mazhorancë prej tij.

Kjo sërish ngre pyetje të tjera:

A po përdoren kolateralet bankare për zhvillime private?

Si janë kaluar këto prona?

Janë respektuar procedurat e ankandit?

A ka konflikt interesi mes bankës kreditore dhe kompanive zhvilluese?

Nevoja për hetim institucional

Madhësia e strukturës, fitimet e pazakonta, lidhjet offshore, kontrolli vertikal i kreditimit dhe mbledhjes së borxheve, si dhe hyrja agresive në sektorin e ndërtimit, janë elementë që kërkojnë auditim të thelluar, transparencë publike, dhe mbikëqyrje serioze nga Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës, tatimet dhe SPAK.

Sepse kur i njëjti grup kontrollon edhe bankën, edhe mikrokredinë, edhe borxhin, edhe kolateralin, dhe ndërtimin, pikëpyetjet nuk janë më vetëm ekonomike. Shqetësimi ngrihet për sigurinë financiare dhe besimin publik. Për më tepër ku përfundojnë paratë? Versus.al

Poll