AKTUALITET /

U kap me 8 gr kanabis, turisti francez në gjyq: Nuk e dija që ishte e ndaluar në Shqipëri

Riu u kontrollua ndërsa po udhëtonte me taksi nga zona e ish-Bllokut drejt një hoteli në Fushë-Krujë.

Shkruar nga Versus

U kap me 8 gr kanabis, turisti francez në gjyq: Nuk e dija që ishte e

Vizita turistike në Shqipëri nuk ka shkuar siç pritej për një 19-vjeçar nga Franca.

Të nesërmen e mbërritjes në Tiranë me familjen e tij, francezi me iniciale K.L. u arrestua pasi policia gjeti në çantën e tij marsup një sasi prej 8.2 gramë kanabis.

Riu u kontrollua ndërsa po udhëtonte me taksi nga zona e ish-Bllokut drejt një hoteli në Fushë-Krujë.

Pas 48 orësh në paraburgim, ai u paraqit para gjykatës, e cila vendosi lirimin me masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. 

Gjatë seancës, francezi shprehu pendesë dhe deklaroi se nuk kishte dijeni se mbajtja e kanabisit nuk lejohet në Shqipëri.

Ai theksoi se kishte blerë lëndën pranë një diskoteke për përdorim vetjak, pasi e konsumon prej gjashtë vitesh, dhe se gjendja e tij emocionale dhe shëndetësore ishte e rënduar.

''Kam ardhur në Shqipëri për të vizituar vendin, së bashku me familjen time. Dua të them se lëndën narkotike e kam blerë në rrugë pranë një diskoteke të cilës nuk ja mbaj mend emrin, tek një person të cilin nuk e njoh. Dua të them se lëndën narkotike e kam blerë për përdorim vetjak pasi kam një kohë prej gjashtë vitesh që e konsumoj. Nuk kam pasur dijeni që në shtetin shqiptar nuk lejohej konsumimi i lëndëve narkotike, gjithashtu dua të shtoj se jam në gjendje shumë të rënduar emocionale dhe shëndetësore”, tha turisti francez para gjyqtarit. 

Fakti që turisti 19-vjeçar nuk ka pasur dijeni për legjislacionin penal në Shqipëri është marrë në konsideratë edhe nga prokurorinë sallën e gjyqit në masën e kërkuar, por edhe nga gjyqtarja Adelajda Gjuzi.

Ne vendimin e caktimit të masës gjykata ka arsyetuar se “sasia e lëndës që i është gjetur është e vogël, 8.2 gram bashkë me ambalazhin, forma e kryerjes së veprës është më e lehta, me anë të mbajtjes” dhe faktin se i dyshuari vjen  nga një kulturë e ndryshme sa i takon vlerësimit nga shteti si vepër penale të mbajtjes për përdorim të lëndëve narkotike./Versus.al

Poll