AKTUALITET /

Drafti ligjor/ ERE, ERRU, AKEP, KPP... do kthehen në agjenci autonome, jo më raportime Kuvendit

Agjencitë dhe entet rregullatore të pavarura do t’i nënshtrohen një riorganizimi thelbësor, ku pjesën më të madhe duke mos i lënë më tërësisht të pavarura, por duke i kaluar ato në varësi të ministrive përgjegjëse. 11 janë institucione që përmenden nga një raport i OECD/SIGMA, por lista mbetet për t'u përcaktuar nga qeveria. Drafti i ri me ndryshime në ligjin për administratën është hedhur për konsultim publik dhe parashikon riorgamizimin rrenjësor.

Shkruar nga Versus

Drafti ligjor/ ERE, ERRU, AKEP, KPP... do kthehen në agjenci autonome, jo

Një pjesë e institucioneve të pavarura, pjesë e administratës shtetërore, ente dhe autoritete, si Enti Rregullator i Energjisë, ai i Ujit, Komisioni i Prokurimit Publik, AKEP, etj pritet të mos jenë më institucione tërësisht të pavarura nga qeveria.

Drafti i ri ligjor, i hedhur në konsultim publik thotë se këto autoritete apo ente që aktualisht operojnë plotësisht të pavarura, cenojnë llogaridhënien qeveritare, prandaj në rikonceptimin e tyre

"Mbajtja e autoriteteve rregullatore jashtë mbikëqyrjes së qeverisë, sjell problematika në zbatimin e parimit të ndarjes së pushteteve, fragmentarizmin e aftësisë/përgjegjësisë së qeverisë për hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe vakum në sistemin e përgjegjësisë e llogaridhënies qeveritare. Madje, distanca e tyre nga ekzekutivi mund të minojë llogaridhënien institucionale lidhur me performancën e tyre të përgjithshme”, thuhet në relacionin e përgatitur nga Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. 

Varësinë këto agjenci rregullatore, parashikohet ta kenë nga ministritë përgjegjëse të fushave që mbulojnë.

I gjithë ky ndryshim i rëndësishëm ligjor vjen si kërkesë e institucioneve ndërkombëtare, si Bashkimi Europian dhe OECD/SIGMA-s, të cilët përmes raportit të fundit e cilësojnë defekt faktin që një numër i madh organesh me natyrë ekzekutive i raportojnë Parlamentit, duke dëmtuar llogaridhënien dhe qeverisjen e tyre efektive.

Nga 25 autoritetet që aktualisht janë nën varësinë e Parlamentit, 11 janë me natyrë ekzekutive, duke përfshirë disa nga agjencitë rregullatorë”, thotë SIGMA , duke renditur institucione si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Instituti i Statistikave, Autoriteti i Konkurrencës, Agjencia Shqiptare e Sigurimit të Depozitave, Autoriteti për Informacion mbi Dokumentet e Sigurisë Shtetërore, Instituti i Studimeve mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, Autoriteti i Medias Audiovizuale, Autoriteti i Rregullatorit të Energjisë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Autoriteti Rregullator i Furnizimit me Ujë.

Megjithatë burime për Report Tv nga Ministria që ka propozuar projektligjin tha se AMF, AMA dhe Autoriteti iu Konkurrencës do të mbeten kështu siç janë sipas standardeve evropiane, ndërsa çdo institucione tjetër do të merret në analizë me SIGMA por edhe me vetë Bashkimin Evropian.

Entet dhe autoritetet që do të preken nga ky ligj do të konsiderohen si Autoritete Autonome, ndërsa drafti për projektligjin për “Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore” parashikon gjithashtu shkrirjen në një të vetme, institucionet e varësisë dhe agjencitë aktuale autonome, duke reduktuar kategorinë e institucioneve jo-ministrore nga 3 që janë aktualisht në 2, me qëllim rritjen e funksionimit dhe llogaridhënies.

“Legjislacioni në fuqi (ligji 90 dhe legjislacioni tjetër sektorial) parashikon tre lloje të trupave joministrore: Institucionet e Varësisë (IV), Agjencitë Autonome (AA), të dyja në varësi të ministrive dhe që kryejnë të njëjtat funksione të zbatimit të politikave, por me regjime të ndryshme juridike të organizimit dhe funksionimit, dhe Autoritetet apo Entet Rregullatore (ARr) që janë krijuar me ligje të veçanta, dhe që i raportojnë Kuvendit dhe kryejnë gjithashtu funksione të zbatimit të politikave, por specifikisht të natyrës rregullatore (tregjeve dhe industrive).

Dallimi aktual midis institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome nuk bazohet në kritere të dallimit funksional. Gjithashtu, mbajtja e autoriteteve rregullatore jashtë mbikëqyrjes së qeverisë, sjell problematika në zbatimin e parimit të ndarjes së pushteteve, fragmentarizmin e aftësisë/përgjegjësisë së qeverisë për hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe vakum në sistemin e përgjegjësisë e llogaridhënies qeveritare.

Në raportin e fundit të vlerësimit për Shqipërinë për vitin 2024, OECD/SIGMA është shprehur se

“Autonomia e autoriteteve rregullatore sa i përket funksionimit të përditshëm është e siguruar; megjithatë, ato raportojnë para Parlamentit, gjë që nuk është thelbësore për ruajtjen e pavarësisë së tyre funksionale. Përkundrazi, madje distanca e tyre nga ekzekutivi mund të minojë llogaridhënien institucionale lidhur me performancën e tyre të përgjithshme.”

Propozimi:Projektligji propozon ekzistencën e vetëm dy llojeve të trupave joministrore/ekzekutive, pra mbajtjen e institucioneve klasike të varësisë (IV) ku sipas këtij propozimi do të përfshihen edhe agjencitë aktuale autonome, dhe ri-konceptimi tërësor i Agjencive Autonome për të akomoduar tipologjinë aktuale të Autoriteteve Rregullatore, duke rregulluar regjimin e tyre juridik të organizimit dhe funksionimit të aftë për të garantuar një autonomi funksionale të plotë në kryerjen e funksioneve rregullatore, siç kërkohet nga legjislacioni evropian për secilin nga rregullatorët”, thuhet në relacionin e projektligjit.

Projektligji, propozon gjithashtu krijimin e një sistemi të detyrueshëm, të uniformizuar të mbikëqyrjes/llogaridhënies së trupave joministrore bazuar në rezultatet e institucionit.

Projektligji propozon shtimin e disa dispozitave për krijimin e institucioneve në varësi të Kryeministrit.

Më shumë kompetencave i jepen krerëve të institucioneve drejtori. Ndërsa në draft propozohen rregulla të reja për kontroll më të fortë të ndryshimeve institucionale, duke kërkuar analiza të detajuara nga ministritë para krijimit të institucioneve të reja dhe duke i besuar Departamentit të Administratës Publike rolin kryesor në këtë proces.

Tags:

draft ere akep kpp

Poll