
Qytetarët e Vlorës kanë dalë në protest pasi prej katër ditësh ata nuk kanë furnizmim me ujë të pijshëm.
Ata janë mbledhur para teatrit 'Petro Marko' ku bashkia po zhvillon mbrëmjen gala e fundvitit ku kërkojnë takim me kryetaren e sapo zgjedhur Brunilda Mersini.
Me shishe uji në dorë ata bërtasin në kor: Turp Bashkia!
Ndërsa në disa pankarta që qytetarët mbanin në dorë shkruhej: “Ju gala, ne pa la”
Pas përplasjes me policinë qytetarët kanë hapur me forcë derën e teatrit dhe me telefona në dorë janë futur brenda por përfaqësuesit e bashkisë janë larguar nga dera e pasme.
Fjalën më pas e ka marrë drejtori i teatrit i cili është shprehur se teatri nuk mund të ofrojë ujë por vetëm shfaqje.
Ndërkohë nëndrejtori i policisë së shtetit në Vlorë, Shpëtim Hasanaliaj, u ka bërë thirrje protestuesve të lirojnë menjëherë sallën ku po mbahej festa e fundvitit.
Gjithashtu ata kanë paralajmëruar se nuk do të heqin dorë, pasi po përballen më këtë situatë shqetësuese në prag të festave. Ata kanë paralajmëruar se nesër në orën 10:00 do të protestojnë para Bashkisë.
Ndërsa kryetarja e bashkisë është shprehur një ditë më parë se po punohet me ritme të shpejta dhe se uji do të mbërrijë në rubinetat e qytetarëve në orët e vona të natës, gjë e cila nuk është realizuar.
''Zgjidhja është specifike dhe në kushte të vështira teknike dhe do të jetë provizore. Ne do të ndërhyjmë përsëri këtu për një zgjidhje të qëndrueshme, ndërkohë po gjejmë një zgjidhje provizore që Viti i Ri dhe festat mos pengohet furnizimi me ujë. Duhet mirëkuptimi i të gjithë qytetarëve. Ne e dimë që sytë dhe veshët e qytetarëve janë se kur do të vijë uji sepse e kuptoj vështirësinë por kemi marrë masa që të gjitha institucionet shtetërore që kanë vështërsi do të furnizohen me bote dhe po ashtu jemi të ndjeshëm dhe për familjet që kanë situata specifike. Është pak të thuhet në orët e vona të natës por është punuar dhe për bazën materiale. Besoj që zgjidhja do të jetë deri në orët e vona të mbrëmjes.' është shprehur Mersini një ditë më parë.
/Versus.al

