
Qindra protestues janë paraqitur sot para godinës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me librin “Albanian Files” ku gjenden 523 projekte për ndërtime resortesh e vilash në zona të ndryshme të vendit.
Njëra prej protestueseve, Sidorela Vatnikaj foli për mediat dhe tha se në këtë libër tregohet sesi projektet ishin planifikuar vite para se të ndryshohej ligji për zonat e mbrojtura dhe se pronarët e zonave nuk kishin asnjë dijeni dhe ishin në procese gjyqësore për tokat e tyre.
Ajo theksoi se libri tregon sesi projektet bëhen pa asnjë lloj konsultimi publik dhe se kryeministri Edi Rama është në konflikt të plotë interesi për shkak se ai është edhe kreu i Këshillit Kombëtar të Territorit që miraton lejet për ndërtime.
“Në këtë libër gjenden 523 projekte të ndryshme disa prej të cilave të ndërtuara tanimë, një pjesë në ndërtim e sipër dhe disa në plan për t’u ndërtuar. Në këtë libër gjenden dhe mund të lexohen disa prej problemeve më të mëdha të këtij vendi dhe të këtij modeli qeveriseje. Në këtë libër del qartë se kryeministri Rama dhe qeveria e tij e kanë shmangur në çdo moment konsultimin public duke iu mbivendosur shoqërisë përmes fuqisë së pushtetit dhe përmes marrëdhënies me arkitektë të huaj, ndërtues, biznesmenë e oligarkë që kishin interes për këto ndërtime. Në këtë libër del qartë se ligji 21/24 është një ligj që është miratuar për shkak të projekteve të ndryshme që gjenden këtu vite para se të ndryshohej ligji. Libri tregon se pavarësisht në shumë prej vendeve këto projekte propozohen për t’u ndërtuar, ka pronarë që nuk kanë dijeni dhe prej vitesh janë në gjykata, projektet vijojnë pa u shqetësuar. Del qartë se ka konflikt interesi mes kryeministrit dhe biznesmenëve sepse kryeministri është kryetar i Këshillitt ë Territorit dhe ai vendos për miratimin e këtyre projekteve”- tha protestuesja.
Më tej ajo shprehu mbështetjen ndaj SPAK duke i kërkuar që të hetonte kryeministrin Edi Rama dhe të mundësonte revolucionin paqësor në vend me ndryshimin e klasës politike.
“Ne kemi këtu për t’I thënë SPAK se ka mbështetjen tonë për veprimet e deritanishme dhe pritshmëritë tona për vendosjen para drejtësisë. Nuk jemi këtu për drejtësi popullore, por për shtet të së drejtës ku kryeministri trajtohet e hetohet si të gjithë qytetarët e tjerë. Në këtë moment do të dorëzojmë atë që për ne është prova e krimit të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pranë SPAK për t’I kërkuar bërjen e mundur të revolucionit paqësor duke hetuar atë që për ne është kreu i një shteti kriminal, Edi Ramës”- shtoi mes të tjerash protestuesja. Versus.al

