
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në autostradën Lushnjë–Fier, në zonën e njohur si “Pushimi i Shoferit”, ku një motoçikletë është përplasur me një automjet tip “VW”.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa përplasja mes dy mjeteve ka qenë e fortë.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motoçikletës ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës me autoambulancë. Burime mjekësore bëjnë me dije se ai ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë punuar për menaxhimin e trafikut dhe normalizimin e qarkullimit, pasi për disa minuta është krijuar ngarkesë në rrugë.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se automjeti tip “VW” ka hyrë në kryqëzim, ndërsa motoçikleta me targa të huaja është përplasur me të. Megjithatë, këto mbeten ende versione fillestare dhe pritet verifikimi i plotë i dinamikës së aksidentit.
Në vendngjarje ndodhet edhe pajisja regjistruese e kaskës së motoçiklistit, e cila pritet të ndihmojë hetuesit në zbardhjen e rrethanave.
Grupi hetimor pritet të mbërrijë për të kryer veprimet procedurale dhe për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.

