
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pranë Thumanës, në aksin e vjetër Fushë Krujë–Thumanë, ku përplasja mes dy automjeteve ka përfunduar me një viktimë dhe tre të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, dy mjetet janë përplasur me njëri-tjetrin dhe si pasojë kanë dalë nga rruga.
Nga përplasja ka humbur jetën drejtuesi i njërit prej automjeteve, Arben Jangozi, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Në njërin prej mjeteve ndodhej edhe një fëmijë, ndërsa ende nuk ka detaje të plota për gjendjen shëndetësore të të lënduarve.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

