Çfarë do të gjeni në brendësi
SPAK zgjeron dosjen e AKSHI-t: Si doli në skenë Elision Jorgji në projektin “Smart Lab”

Hetimet për aferën e AKSHI-t po thellohen dhe në dosje është shtuar edhe emri i biznesmenit Elision Jorgji, pronar i kompanisë Albascan, si pjesë e një skeme që dyshohet se ka funksionuar me tenderë të paracaktuar dhe përfitime të favorizuara.
Sipas materialeve të publikuara, emri i Jorgjit është futur në hetim vetëm pak ditë përpara se Gjykata e Posaçme të miratonte sekuestrimin e një sërë pasurish të lidhura me personat kryesorë të dosjes.
Në qendër të kësaj pjese të hetimit qëndron projekti i laboratorëve “Smart Lab” në shkolla.
Sipas dëshmisë së biznesmenes Migena Schroeder, në fillim të vitit 2022 ajo është kontaktuar nga ish-zv/drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, i cili i ka bërë të ditur se projekti ishte caktuar që do të realizohej nga Albascan.
Shima, sipas kësaj dëshmie, i ka kërkuar që të takohej me përfaqësuesin e kompanisë, Elision Jorgjin, duke e lënë të kuptohej se fituesi i procedurës ishte vendosur që më parë.
Kjo dëshmi e vendos Albascan në qendër të dyshimeve për një garë të orientuar përpara hapjes zyrtare të tenderit.
Sipas raportimeve që referojnë dosjen, rasti i “Smart Lab” është një nga shembujt ku SPAK dyshon se procedura publike ka qenë formale, ndërsa vendimi për fituesin është marrë paraprakisht brenda rrethit të AKSHI-t.
Emri i Albascan lidhet edhe me sekuestrimin e një shume rreth 1 milion euro, të përfshirë në listën e pasurive të ngrira nga SPAK, ndërsa kompania rezulton të ketë qenë ndër përfituesit e mëdhenj të tenderëve publikë.
Hetuesit dyshojnë se kjo kompani ka qenë pjesë e mekanizmit të favorizimeve që ka funksionuar përmes AKSHI-t dhe njerëzve të lidhur me të.
SPAK ka zgjeruar hetimet për dosjen e tenderëve të AKSHI-t, ndërsa aktualisht në kërkim janë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, për të cilët gjykata ka caktuar masën “arrest me burg”. Në arrest shtëpie ndodhet ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ndërsa Hava Delibashi është me detyrim paraqitjeje dhe Erion Ismaili, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta e kanë të ndaluar daljen jashtë vendit.
Vetëm një ditë më parë, SPAK sekuestroi 74 prona dhe llogari bankare, me vlerë rreth 40 milionë euro, që lidhen me personat nën hetim në këtë dosje. Hetimet, të nisura në vitin 2025, përfshijnë dyshime për shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal, korrupsion dhe pastrim parash.
Personat e akuzuar/ Masa e sigurisë
Ergys Agasi-Në kërkim / arrest me burg
Ermal Beqiri-Në kërkim / arrest me burg
Mirlinda Karçanaj-Arrest shtëpie
Hava Delibashi-Detyrim paraqitjeje
Erjon Ismaili-Ndalim i daljes jashtë vendit
Andis Papa-Ndalim i daljes jashtë vendit
Gëzim Hoxha-Ndalim i daljes jashtë vendit
Rogers Rryta-Ndalim i daljes jashtë vendit
Elision Jorgji-Pa masë sigurie
Daniel Shima-Pa masë sigurie
Arjola Koromani-Pa masë sigurie
Emirton Suli-Pa masë sigurie
Gentian Likaj-Pa masë sigurie
7 kompanitë në hetim-Pronarët
Communication Progress-Gentian Likaj
Soft & Solution-Ermal Beqiri
First-Gëzim Hoxha
Fastech-Andis Papa
Horizon-Ermal Beqiri
Fast & Fresh-Andis Papa
EA Solution-Ergys Agasi/Versus.al
Mirlinda Karçanaj pa shtëpi, por milionat i shkonin të maskuara në kuti vere
Në dosjen e SPAK tregohet dhe mënyra se si Mirlinda Karçanaj i merrte ryshfetet shpeshherë dhe të kamufluara permes zyrtarit të saj, Daniel Shima në atë kohë një nga figurat kyçe në AKSHI.
Në dosje thuhet se Karçanaj ka përfituar nga Daniel Shima vlerën e 200.000 euro në mënyrë indirekte nga Arjola Koromani administratore e 'Soft&Sulotion' në pronësi të Ermal Beqirit përmes zyrtarit të tij në disa raste dhe në ‘kuti vere’ të mbushura me prerje 100,200 dhe 500.
Përveç kësaj thuhet në dosje, Mirlinda Karçanaj ka përfituar nga persona të tjerë të lidhur me shtetasit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi ku përmendet blerja e tre pasurive të paluajtshme dy në Tiranë dhë një në Qerret, me qëllim favorizimin e shoqërisë “Soft & Solution" apo dhe kompanive të tjera në procedurat e prokurimit të zhvilluara nga institucioni që ajo drejtonte (AKSHI)./Versus.al
Hetimet për AKSHI-n: Paratë e shqiptarëve i shkonin Ergys Agasit! 9 milionë euro në llogari pa bërë asnjë punë

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur, sipas fashikujve të dosjes së AKSHI-t, që Versus.al disponon skemën e dyshuar të korrupsionit pasiv dhe pastrimi parash ku në qendër qëndron biznesmeni Ergys Agasi dhe kompania e tij EA Solution.
Sipas hetimit dhe vendimit të sekuestrimit, mes viteve 2023 dhe 2025 Agasi dyshohet se ka përfituar mbi 9 milionë euro në formë ryshfeti për ndikimin e tij në paracaktimin e tenderëve të AKSHI-t.
Sipas materialeve hetimore të publikuara, EA Solution ka faturuar rreth 2.9 miliardë lekë drejt disa operatorëve ekonomikë që kanë dalë fitues në procedura prokurimi, mes tyre Soft & Solution e Ermal Beqirit, Fastech e Andis Papës dhe First e Gëzim Hoxhës.
Hetimi thotë se këto pagesa nuk kanë qenë kosto për shërbime të kryera realisht, por shpërblime të kamufluara për fitimin e tenderëve publikë, të mbështetura në fiktivitetin e plotë të shërbimit të faturuar.
Organi i akuzës pretendon se EA Solution nuk ka pasur kapacitet teknologjik apo njerëzor për të kryer shërbimet për të cilat ka prerë faturat, ndërsa puna faktike është bërë nga Soft & Solution, duke e bërë marrëdhënien kontraktore të rreme dhe duke e kthyer faturën tatimore në instrument për “legalizimin” e vlerave korruptive.
Në këtë mënyrë, sipas SPAK, paratë e taksapaguesve janë rikthyer te persona dhe subjekte të lidhura ngushtë me titullaren e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, nëpërmjet një skeme të mirëorganizuar të bashkëpunimit kriminal./Versus.al
DOSJA AKSHI/I dhuroi vartëses jahtin 930 mijë euro, si e 'justifikoi' Ermal Beqiri kalimin e pronësisë

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka zbuluar në dosjen e AKSHI-t një skemë të dyshuar fshehjeje pasurie, ku biznesmeni Ermal Beqiri dyshohet se ka blerë një jaht luksoz me vlerë 930 mijë euro, por e ka regjistruar në emër të Xhenila Tamizit, administratore dhe ish-vartëse e tij.
Sipas hetimeve, mjeti lundrues Predator 50 Skyfall është importuar nga Beqiri dhe më pas është dhuruar përmes një kontrate te Tamizi në të njëjtën datë zhdoganimi.
Në dëshminë e dhënë në SPAK, Tamizi ka deklaruar se jahti iu dhurua nga Beqiri për arsye praktike, pasi sipas këshillës së marrë ai do të ishte më i lehtë për t’u lëvizur nëse figuron në emër të një shtetasi të Bashkimit Europian.
'Kam qënë e punësuar nga shtetasja Arjola Koromani por edhe Ermal Beqiri tek shoqëritë Soft&Solution dhe Horizon, ku jam aktualisht adminsitratore. Dua gjithashtu të shtoj faktin se rreth vitit 2025 shtetasi Ermal Beqiri, ka blerë një jaht nuk e mbaj mend se ku. Mesa kutpova, Ermalin e kishin këshilluar që do të ishte më e kollajshme për lëvizjen e mjetit lundrues, nëse do të kishte pronar një shtetas të Bashkimt Europian. Duke qënë se jam me pashaportë bulgare, ai vendosi të ma dhurojë mua jahtin. Për historinë e jahtit, unë kam gjithë email-et dhe korrespodencat me kompaninë shitëse, me zyrën e avokatisë në Maltë, të cilat do t’jua dorëzoj në një moment tjetër’ është shprehur Tamizi para prokurorëve të SPAK. /Versus.al
SPAK zbardh skemën: Si treshja Agasi, Karçanaj dhe Beqiri vodhën miliona euro nga tenderat me fatura fiktive

Prokuroria e Posaçme ka hedhur dritë mbi një skemë të dyshuar korrupsioni dhe pastrimi parash në tenderët e AKSHI-t, ku në qendër të hetimit përmenden Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri dhe një rrjet kompanish të lidhura mes tyre.
Sipas fashikujve hetimorë dhe raportimeve që i referohen dosjes, skema dyshohet se është ndërtuar mbi tenderë të paracaktuar, fatura fiktive dhe transferim fondesh publike drejt shoqërive të kontrolluara nga të hetuarit.
Sipas materialeve të dosjes, EA Solution, në pronësi të Ergys Agasit, ka faturuar rreth 2.9 miliardë lekë për disa kompani që kanë fituar procedura prokurimi, ndërsa në total dyshohet se në llogaritë e saj kanë kaluar mbi 1.05 miliardë lekë dhe mbi 470 mijë euro.
Hetimi pretendon se këto pagesa janë paraqitur si shërbime, por në fakt kanë shërbyer si shpërblime të kamufluara për fitimin e tenderëve publikë të AKSHI-t.
Organi i akuzës dyshon se EA Solution në pronësi të Ergys Agasit ka funksionuar si mjet për transferimin e ryshfetit në formë tregtare, ndërsa shërbimet reale janë kryer nga subjekte të tjera, kryesisht Soft & Solution, duke e bërë marrëdhënien kontraktore fiktive.
Në këtë skemë, fatura tatimore dyshohet se është përdorur për të “legalizuar” vlerat korruptive dhe për t’i futur ato në qarkullim financiar si shpenzim të zbritshëm.
Dosja e SPAK-ut përmend edhe një lidhje të ngushtë mes Agasit dhe ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, të cilën prokuroria e konsideron pjesë të mekanizmit që mundësoi fitimin e tenderëve.
Sipas dëshmive dhe materialeve hetimore të publikuara, Karçanaj është filmuar në zyrën e Agasit, ndërsa hetimi pretendon se vendimmarrja në AKSHI ka favorizuar kompani të caktuara me lidhje të dyshuara me këtë grup.
Në total, SPAK dhe GJKKO kanë vendosur sekuestrimin e pasurive të shumta të lidhura me këtë hetim, me vlerë të raportuar mbi 40 milionë euro.
Mes tyre përfshihen apartamente në Tiranë dhe Kavajë, një ullishte në Sauk, automjete luksoze, një jaht, llogari bankare dhe kuota biznesesh të lidhura me Karçanajn, Agasin, Beqirin dhe shoqëri si EA Solution, Soft & Solution, First, Fastech, Fast & Fresh dhe Albascan./Versus.al

