
Protesta qytetare para Kryeministrisë është shoqëruar këtë mbrëmje me fjalime të pjesëmarrësve, të cilët kanë përsëritur kërkesat e tyre dhe kanë bërë thirrje për vijimin e mobilizimit.
Gjatë tubimit, banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj, deklaroi se protesta ka marrë mbështetje nga përfaqësues të Parlamentit Europian, duke theksuar se është dënuar edhe dhuna e ushtruar ndaj protestuesve.
Sipas saj, zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian ka reaguar kundër përdorimit të dhunës nga Policia gjatë protestave.
“Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian është shprehur se dënon çdo dhunë të ushtruar nga Policia ndaj protestuesve”, u shpreh Kokaj.
Ajo shtoi se mbështetja nuk vjen vetëm nga partitë e gjelbra dhe të majta në Parlamentin Europian, por edhe nga Partia Popullore Europiane (PPE), grupimi më i madh politik në Parlamentin Europian.
Sipas Kokajt, kërkesat e protestuesve janë reflektuar edhe në një rezolutë të miratuar nga eurodeputetët, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë protestën.

