
Një tjetër protestues që mori fjalën në protestën e sotme ishte një ish-student i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990.
Ai tha se në 1990 protestuan për një Shqipëri si gjithë Evropa, por idealet e asaj kohe nuk u realizuan, ndaj ai u largua nga Shqipëria.
“Berisha n’burg, Rama n’burg dhe gjithë ata që i shkojnë pas”, tha protestuesi ku shtoi se u kthye në 2010 ku donte të investonte por humbi 12 vite të jetës, miliona euro dhe miq e shokë.
"Jam student i '90-s. Na larguan nga vendi strukturat e Sigurimit të asaj kohe. Ëndrra e studentëve të asaj kohe nuk u bë realitet," u shpreh ai duke shtuar se titullin simbolik "Pishtar i Demokracisë", kishte vendosur ta hidhte atë.
"Më kanë dekoruar 'Pishtar i Demokracisë', por unë e kam hedhur në kosh, sepse nuk pranoj të dekorohem nga këlyshët e komunizmit," tha ai.
Duke komentuar protestën e një dite më parë para Kuvendit, ai u shpreh:
"Dje isha pjesë e protestës. Dyqind trima i bënë të dridhen 1.200 policë. Ne nuk jemi kundër investimeve. Jemi populli më proamerikan në Evropë. E duam demokracinë pa këlyshë komunizmi."
Në përfundim të fjalës së tij, protestuesi u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit t'i bashkohen protestës.
"Shqipëria është në rrezik. Ejani, bashkohuni me të rinjtë që ta çojmë Shqipërinë në Evropë, atë që nuk arritëm ta bënim në vitin '90. Ose ne, ose ata! Evropa nuk i do hajdutët," përfundoi ai.Versus.al

