
Policia e Vlorës ka goditur disa raste të armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke vënë në pranga dy persona gjatë një operacioni të zhvilluar në qytet dhe në zonat bregdetare.
Një 33-vjeçar, i njohur për precedentë penalë në fushën e narkotikëve, u arrestua pasi gjatë kontrolleve në automjetin dhe banesën e tij u gjetën një armë zjarri pistoletë, një krehër arme, 44 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, si dhe një sasi kokaine e ndarë në doza, e dyshuar për shitje.
Në një rast tjetër, policia arrestoi një 18-vjeçar në Dhërmi, të cilit iu gjetën sasi kokaine dhe kanabisi. Sipas hetimeve paraprake, lëndët narkotike dyshohet se ishin destinuar për shitje në zonën bregdetare dhe në qytetin e Vlorës.
Gjatë operacionit u sekuestruan arma e zjarrit, municionet dhe lëndët narkotike të gjetura në posedim të të arrestuarve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme hetimore.

