AKTUALITET /

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve

Shkruar nga Versus

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve

Bordi i Transparencës ka miratuar këtë të shtunë çmimet e reja tavan për karburantet në vend, duke reflektuar një stabilizim të tregut pas periudhës kur nafta dhe benzina tregtoheshin me çmime mbi 200 lekë për litër.

Sipas vendimit të fundit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin është përcaktuar në 183 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 171 lekë për litër.

Ndërkohë, benzina do të tregtohet me jo më shumë se 170 lekë për litër në pakicë dhe 158 lekë për litër në shumicë.

Bordi njofton se çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot, më 13 qershor, në orën 14:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në vendimmarrjen e radhës, kur do të reflektohen ndryshimet e mundshme të tregut ndërkombëtar.

Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve se zbatimi i këtyre çmimeve është i detyrueshëm. Në rast të shkeljeve, do të merren masa administrative deri në pezullimin e aktivitetit.

Në sqarimin shoqërues, bëhet e ditur se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1 i vitit 2026, çka nënkupton se akciza për karburantet do të zbatohet në nivelin e plotë prej 100%.

Ndërkohë, për gazoilin e përdorur në sektorin e peshkimit, çmimi i përcaktuar është 88 lekë për litër, në përputhje me përjashtimet fiskale të parashikuara në legjislacionin shqiptar për këtë kategori./Versus.al

Poll