AKTUALITET /

Nga Zvërneci tek protesta e 15-të për dorëheqjen e Ramës, si u krijua “Revolucioni i Flamingove” me mijëra protestues

Ajo që dukej si një revoltë lokale e banorëve të zonës, u kthye në një protestë të përditshme kombëtare që mblodhi dhjetëra mijëra protestues për 15 ditë me radhë.

Shkruar nga Versus
Nga Zvërneci tek protesta e 15-të për dorëheqjen e
Zvërnec, 30 maj, Tiranë, 13 qershor

Pas 15 ditësh protestash, numri i qytetarëve që kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe të klasës së vjetër politike, ka shkuar në qindra mijëra, duke llogaritur protestat në Tiranë, rrethe apo diasporë.

Përmasa të tilla, shumë pak analistë i kishin parashikuar kur bëhej fjalë për protesta të thirrura nga qytetarët dhe jo nga partitë politike. Ndryshe nga protestat që ka parë Shqipëria, në këtë protestë, përveçse nuk mbahen anë partiake, bëhet thirrje për burgosjen e dy njerëzve që kanë drejtuar vendin në 35 vite tranzicion, kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Sali Berisha.

E nisur si një revoltë e banorëve të zonës së Zvërnecit të cilët ngritën zërin kundër rrethimit me gardh të tokave ku ishte planifikuar të zhvillohej projekti, protesta e organizuar më pas në 30 maj, mori një zhvillim të papritur.

Nga Zvërneci tek protesta e 15-të për dorëheqjen e

Njëri prej pretendentëve të pronës që protestonte me qytetarë të tjerë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, u mor zvarrë nga punonjësit e policisë private “Major Security” që më pas rezultoi se nuk kishte as licencë për të kryer një shërbim të tillë. Pamjet nxitën zemërim të madh tek qytetarët edhe për faktin se një person u mor zvarrë nga njerëz të maskuar para syve të efektivëve të policisë dhe këta të fundit thjesht heshtën.

“Fitili” për nisjen e protestave në seri

Më 31 maj, u organizua protesta e parë në Tiranë kundër ngjarjes së ndodhur në Zvërnec duke kundërshtuar projektin për të cilin ende nuk ishte folur nga qeveria. Pjesëmarrja, ishte surprizuese, duke bërë që sërish më 1 qershor në të njëjtën orë të thirrej protestë tjetër me numra edhe më të mëdhenj.

Nga kërkesa për anulimin e projektit, thirrjet kulmuan me shprehjet e thëna në korr “Rama n’burg, Berisha n’burg” si dhe “Rama jepe dorëheqjen”, duke konfirmuar se protesta tanimë kishte kaluar në një stad tjetër, me kërkesë për ndryshimin e klasës së vjetër politike dhe fundin e tranzicionit.

Fjalimi i Ramës dhe revolta e diasporës

Kreu i qeverisë, Edi Rama në një mbledhje me deputetët e PS foli për protestat duke i konsideruar ato fillimisht si turma të qytetarëve të painformuar lidhur me projektin që sipas tij do t’i sjellë Shqipërisë fitime të mëdha.

Nga Zvërneci tek protesta e 15-të për dorëheqjen e

Mirëpo kjo gjë nuk ndaloi protestat të cilat vijuan për çdo pasdite në të njëjtën orë me pjesëmarrje më të lartë dhe thirrjet për dorëheqjen e qeverisë.

Protestat u shtrinë edhe në shtete të ndryshme ku ndodhet diaspora shqiptare e cila iu bashkua bashkëatdhetarëve të saj me thirrjet për fundin e tranzicionit shqiptar. Pjesëmarrja në protestë kulmoi më 14 qershor kur mendohet se numri i qytetarëve të mbledhur në shesh të ketë qenë rreth 100 mijë persona.

Deri më tani, asnjë prej kërkesave të protestuesve nuk është plotësuar. Mbrëmjen e djeshme kur u zhvillua protesta e 15-të, u njoftua se njëra prej deputeteve të PS, Marjana Koçeku, dha dorëheqjen nga grupi parlamentar socialist duke kaluar si ligjvënëse e pavarur. Protestuesit vijuan me skenarin e protestës edhe mbrëmjen e djeshme, por një pjesë e tyre u drejtuan për në Rinas ku më pas u bllokuan nga policia. Mbetet për t’u parë sesi do të vijojë lëvizja që së fundmi po konsiderohet si “Revolucioni i Flamingove”, por një gjë është e sigurt; Shqipëria nuk ka patur kurrë një lëvizje të tillë. Versus.al

Poll