Florian Pervathi, autori i vrasjes së Lek Lekgjonajt në Lezhë për motive hakmarrjeje, është liruar nga burgu pasi ka përfituar nga Amnistia Penale.
Pervathi ishte dënuar me 8 vite burg në vitin 2022 për vrasjen e ndodhur më 24 janar të po atij viti, kur ekzekutoi Lek Lekgjonajn, duke pretenduar se po merrte hak për vrasjen e babait të tij.
Ngjarja lidhet me një konflikt të vjetër familjar. Në vitin 2009, Ndue Lekgjonaj, vëllai i viktimës Lek Lekgjonaj, vrau babain e Florianit, Gjon Pervathin. Pas kësaj ngjarjeje, nëna e Florianit i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë, ndërsa ai mbeti jetim që në moshën 4-vjeçare.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë procesit gjyqësor, Florian Pervathi ishte rritur me bindjen për të marrë hak për humbjen e babait të tij. Kjo çoi në ngjarjen e janarit 2022, kur ai i mori jetën Lek Lekgjonajt.
Pas përfitimit nga Amnistia Penale, Pervathi ka lënë qelitë, ndërsa çështja e tij mbetet një nga rastet më të diskutuara të hakmarrjes dhe gjakmarrjes në zonën e Lezhës./Versus.al

