
Dhjetëra përfaqësues biznesesh janë mbledhur sot para Bashkisë së Vlorës për të protestuar ndaj aksioneve për prishjen e objekteve, të cilat po zhvillohen në prag të sezonit veror.
Përmes Shoqatës Turistike Rajonale Aulona (ARTA), ata i kanë dorëzuar një kërkesë zyrtare Bashkisë, duke kërkuar që prishjet e strukturave të shtyhen deri në fund të muajit shtator.
Sipas tyre, ndërhyrjet në këtë periudhë dëmtojnë drejtpërdrejt aktivitetin turistik dhe ekonomik.
Biznesmenët theksojnë se elementë si tendat dhe ambientet shtesë janë pjesë e investimeve të tyre dhe se sezoni turistik po rrezikohet në momentin e nisjes së tij.
Ata kërkojnë një zgjidhje nga autoritetet, duke përfshirë Bashkinë dhe qeverinë, si dhe më shumë informacion mbi projektet apo planifikimet që prekin zonën.
Sipas tyre, mungesa e komunikimit po krijon pasiguri për bizneset dhe punonjësit që varen nga turizmi.
“Kemi ardhur të protestojmë që të mos na prishet biznesi këtë sezon turistik. Sezoni hapet për 2-3 ditë, IKMT thotë do prishet biznesi. Duam një zgjidhje nga Rama ose kryetarja, të paktën nëse ka dalë një projekt, të vihemi në dijeni. Kemi ardhur të mësojmë si duhet të veprojmë. Kemi shumë njerëz që punojnë për ne. Sot kemi ardhur si biznes, nesër do të jemi më shumë”, tha një prej tyre./Versus.al

