
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit ku u mbajtën homazhet e lamtumirës për Servet Pëllumbin, ish-kryeparlamentarin që ndërroi jetë ditën e djeshme.
Ai tregoi se fillimet e tij kishte patur antipati për themeluesin e PS për shkak se ky i fundit ishte konservator në bindje. Gjatë fjalës së tij Rama tregoi sesi kishte ndryshuar mendim për Pëllumbin dhe e përshkruajti ish-kryeparlamentar si njeri solidar me këdo që përpiqej të bënte diçka ndryshe.
‘’Unë profesorin e kam njohur pak dhe përgjithësisht nga larg. Dua të kujtoj këtu se marrëdhënia ime me të është tipike e një antipatie reciproke në distancë dhe pastaj simpatie reciproke në afërsi. Për vite prej se e kam parë të shfaqet, ai përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja, konservator, marksist leninist etj.
Ka qenë një nga mësimet më të çmuara gjatë gjithë rrugëtimit tim përballja me njeriun përtej etiketimeve të tij në sferën publike. Ai ishte një njeri shumë dashamirës ndaj kujtdo që përpiqej të bënte diçka ndryshe dhe njeri solidar me mua në momente të vështira i cili befasisht shfaqej në ekranin e celularit tim në mënyrë të papritur duke më çuar fjalë inkurajuese. Dhe duke më ndihmuar të shoh se përtej atyre që dukeshin kishte një kategori njerëzish që e ndiqnin dhe vlerësonin një situatë të caktuar me qetësi e vërtetësi’’- tha Rama duke shtuar se lajmi për vdekjen e profesorit i kishte ardhur papritur pasi gjithmonë e shihte në formë të mirë. Versus.al

