AKTUALITET /

Dita e 53-të e protestës, aktivistja: Ne jemi “Europa” që i thotë hajdutëve nuk na përfaqësoni!

Aktivistja deklaroi gjithashtu se mbështetja e qytetarëve dhe vëmendja e mediave ndërkombëtare janë, sipas saj, tregues të rëndësisë së kësaj proteste.

Shkruar nga Versus

Dita e 53-të e protestës, aktivistja: Ne jemi “Europa”

Protesta qytetare kundër qeverisë ka vijuar edhe në ditën e saj të 53-të, me pjesëmarrësit që kanë përsëritur kërkesën për ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë tubimit, protestuesit deklaruan se do të vijojnë të jenë në shesh dhe se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre. Sipas tyre, protesta është kthyer në një lëvizje qytetare që synon të kërkojë llogaridhënie nga institucionet dhe transparencë për vendimmarrjet e qeverisë.

Një prej aktivisteve u shpreh se 53 ditët e protestës kanë sjellë, sipas saj, një nivel të ri solidariteti mes qytetarëve dhe një ndërgjegjësim më të madh shoqëror.

“Jemi këtu për t’ju larguar ju që doni të na largoni nga vendi ynë. Në 53 ditë nuk ka ndodhur vetëm një demonstratë, por një ndryshim rrënjësor i shoqërisë shqiptare. Na referoheshin si një shoqëri që nuk di të bashkohet dhe të dalë përballë atyre që e dhunojnë”, u shpreh ajo.

Aktivistja deklaroi gjithashtu se mbështetja e qytetarëve dhe vëmendja e mediave ndërkombëtare janë, sipas saj, tregues të rëndësisë së kësaj proteste.

“Ne jemi bërë Europë, Europa që u thotë hajdutëve: nuk na përfaqësoni, Europa që i del përballë krimit”, tha ajo.

Duke iu referuar punës së institucioneve të drejtësisë, aktivistja vlerësoi hetimet e SPAK dhe BKH si një sinjal pozitiv, ndërsa kërkoi që organet ligjzbatuese të verifikojnë çdo pretendim për shkelje ligjore.

“Ne kemi një kërkesë: hetoni Ramën. Institucioneve të drejtësisë u themi vetëm një gjë, hetoni Ramën”, deklaroi ajo.

Protestuesit kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkesat e tyre mbeten të njëjta: përgjegjësi institucionale dhe ndryshim politik./Versus.al

Poll