
Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, të siguruar nga “Versus Albania”, janë zbardhur komunikime të detajuara të platformës së enkriptuar SKY ECC, të zhvilluara më 13 shtator 2020 mes të hetuarit Salvatore Aliu dhe një bashkëbiseduesi me PIN 8VENT1, i paidentifikuar nga autoritetet.
Këto komunikime janë pjesë e një episodi që prokuroria e lidh me skema të dyshuara të pastrimit të parave, ku diskutohen mënyra të investimit të shumave të mëdha të përfituara nga aktiviteti kriminal, duke u fokusuar kryesisht në sektorin e ndërtimit, por edhe në biznese të tjera tregtare.
Sipas dosjes, në bisedat e përgjuara përmes SKY ECC, bashkëbiseduesit flasin hapur për mënyrat se si mund të futen në qarkullim shuma të mëdha parash cash, të cilat sipas hetuesve dyshohet se vijnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Në një prej pjesëve më të rëndësishme të komunikimit, theksohet ideja se:
“Ndërtimi është puna e vetme që mund të zbardhësh lekë”
Ky shprehje, sipas hetuesve, përdoret në kontekstin e investimeve në sektorin e ndërtimit si një mënyrë për të justifikuar dhe legalizuar të ardhurat e paligjshme përmes projekteve të mëdha ndërtimore, ku qarkullimi i parave është i madh dhe më i vështirë për t’u gjurmuar.
Në të njëjtin diskutim përmendet edhe ideja se një pjesë e kapitalit mund të investohet në biznese të vogla tregtare, si lokale dhe supermarkete, të cilat sipas komunikimeve shërbejnë për deklarim faturash fiktive, qarkullim të parave cash, krijim të xhiros artificiale të biznesit, “justifikim” të të ardhurave në sistemin financiar.
Në dosje theksohet se këto skema përshkruhen si mënyra praktike për të futur në ekonomi shuma të mëdha parash pa u evidentuar burimi i tyre real.
Në komunikime, bashkëbiseduesit diskutojnë konkretisht edhe për hapjen e supermarketeve dhe lokaleve, si një formë më e thjeshtë e qarkullimit të parave.
Në një pjesë të bisedës thuhet se: supermarketet janë “më të mira për të zbardhur lekët” përmes tyre mund të realizohen “fatura fiktive” dhe mund të deklarohen shuma të mëdha qarkullimi të paqenë
Sipas dosjes, këto diskutime tregojnë një model të menduar për përdorimin e bizneseve të vogla si fasadë për aktivitetin financiar.
Në materialet hetimore, i hetuari Isa Aliu përmendet si person që ka rol aktiv në planifikimin e investimeve.
Sipas prokurorisë, ai del si ideator i skemës së investimeve të para në hapje lokalesh, supermarkete dhe më pas kalimin në sektorin e ndërtimit.
Hetuesit theksojnë se strategjia e përshkruar në komunikime ndjek një logjikë të qartë: fillimisht futje e parave në biznese të vogla për qarkullim, më pas investim në ndërtim si sektor me volum të madh kapitali dhe më pak transparencë të drejtpërdrejtë.
Në komunikimet e zbardhura, ndërtimi përshkruhet si një sektor shumë fitimprurës, por edhe i përshtatshëm për “zbardhje parash”, për shkak të natyrës së tij ekonomike.
Në disa mesazhe, bashkëbiseduesit diskutojnë mundësinë për të hyrë në projekte ndërtimi në shkallë të madhe, bashkëpunimin me persona të tjerë për investime dhe përdorimin e strukturave të ndryshme biznesi për qarkullim kapitali.
Sipas dosjes, këto diskutime lidhen me një model të strukturuar ekonomik ku ndërtimi shërben si faza finale e legalizimit të kapitalit.
Në një tjetër pjesë të komunikimeve, më 03 nëntor 2020, Salvatore Aliu njofton vëllain e tij Isa Aliu për suksesin e disa operacioneve të realizuara, duke pretenduar se vetëm nga disa “punë” janë përfituar rreth 15 milionë euro.
Sipas hetuesve, kjo pjesë e komunikimit përdoret si indikator i fuqisë financiare dhe i kapacitetit organizativ të rrjetit të dyshuar kriminal.
Sipas SPAK, këto komunikime janë pjesë e një dosjeje më të gjerë që lidhet me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, lëvizjen e shumave të mëdha cash dhe investimet në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare dhe jashtë saj.
Autoritetet po vijojnë analizimin e plotë të komunikimeve SKY ECC dhe gjurmimin e pasurive të dyshuara, ndërsa hetimet mbeten në zhvillim dhe pritet të zgjerohen me prova të reja nga letërporositë ndërkombëtare dhe të dhënat financiare të sekuestruara.Versus.al

