
Protesta e 24-t radhazi në Tiranë ka vijuar edhe këtë mbrëmje me pjesëmarrje qytetare nga kryeqyteti dhe qytete të tjera, në kuadër të një mobilizimi që po zgjat prej më shumë se tre javësh.
Në nisje të fjalimeve, aktivisti Edison Lika ka lexuar deklaratën dhe kërkesat e protestuesve, duke theksuar se dokumenti do të lexohet çdo ditë në shesh, pasi sipas tij ka shkaktuar reagim dhe vëmendje nga qeveria.
Sipas tij, protesta është mbarëpopullore dhe kërkon të bëjë publike arsyet e vijimit të tubimeve të përditshme
Në deklaratën e lexuar në shesh, protestuesit kërkojnë:
Dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit dhe qeverisë aktuale
Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor
Ndryshime kushtetuese që garantojnë barazi të plotë të qytetarëve para ligjit
Miratimin e ndryshimeve përmes referendumit popullor
Sipas kërkesave, në këtë paketë përfshihen edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor, ligjin për financimin e partive politike dhe kufizimin e mandatit të Kryeministrit në maksimum dy mandate gjatë karrierës politike.
Kërkesa për shfuqizim ligjesh
Protestuesit kërkojnë gjithashtu:
anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura
anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore
shfuqizimin e “Paketës së Maleve”
shfuqizimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike
Në deklaratë kërkohet edhe hartimi i një “kontrate të re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas protestuesve duhet të përpilohet pas konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga vetë sheshi i protestës.

