
Një protestuese ka ngritur shqetësimin për një projektligj që sipas saj pritet të miratohet së shpejti në Parlament dhe që lidhet me kalimin në pronësi të tokës bujqësore për persona fizikë dhe juridikë të huaj.
Gjatë fjalës së mbajtur në protestën e 24-t radhazi në Tiranë, arkitektja Entela Koja, e njohur për qëndrimin e saj ndaj projektit TID, ajo e cilësoi nismën si një ligj “të tmerrshëm”, duke paralajmëruar se miratimi i tij do të ketë pasoja të rënda për vendin.
Sipas saj, projektligji ka kaluar tashmë në komisionet parlamentare dhe pritet të shqyrtohet në seancë plenare.
“Ka një ligj akoma edhe më të tmerrshëm që po kalon këto ditë pranë Parlamentit. Ka kaluar në komisione dhe pritet të kalojë në Parlament. Ky projektligj për tokën ka të bëjë me kalimin në pronësi të tokës bujqësore personave fizikë dhe juridikë të huaj. Ky është një ligj i tmerrshëm. Nëse kalon, Shqipëria nuk është më e shqiptarëve”, deklaroi ajo.
Protestuesja iu referua edhe kërkesave të artikuluara më herët nga grupi koordinues i protestës për rishikimin e një sërë ligjesh, mes tyre ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore dhe ligjin 21/2024.
Ajo u bëri thirrje deputetëve të mos miratojnë ligje që, sipas saj, cenojnë interesat dhe pronat e qytetarëve shqiptarë.
“Ne jemi këtu për t’u thënë parlamentarëve shqiptarë: kthehuni në nivelin e këtij sheshi dhe mos kaloni asnjë ligj që është në dëm të shqiptarëve, ndryshe do t’ju mbulojë turpi”, u shpreh protestuesja.
Në përfundim të fjalës së saj, ajo kërkoi ndalimin e çdo procedure që sipas protestuesve prek të drejtat e pronës së qytetarëve dhe bëri thirrje për kundërshtimin e projektligjit.
“Ndaj ne do t’u themi parlamentarëve shqiptarë, ndaloni çdo procedurë, çdo projektligj në shkelje të të drejtave të pronave të shqiptarëve. Boll është boll”, deklaroi ajo para pjesëmarrësve në protestë.

