
Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, të siguruar nga “Versus Albania”, po hetohet një episod i trafikut ndërkombëtar të një sasie prej 1 ton e 50 kilogramë kokainë, e sekuestruar më 3 shkurt 2021 në Kolumbia, me destinacion final Francën.
Sipas materialit hetimor, ky episod është pjesë e një dosjeje më të gjerë që lidhet me trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, ku përfshihen komunikime të koduara, lëvizje financiare me shuma të mëdha cash dhe organizim logjistik i rrjetit të dyshuar kriminal.
Hetimet po ndiqen nga prokurorët e SPAK Altin Dumani dhe Doloreza Musabelliu, të cilët kanë administruar letërporosi ndërkombëtare dhe materiale të përftuara nga autoritetet e huaja, përfshirë Kolumbinë dhe Ekuadorin.
Sipas dosjes, më datë 04.11.2020, i hetuari Salvatore Aliu ka krijuar një grup komunikimi të koduar, ku përfshihen edhe Jetmir Pepaj dhe Isa Aliu, të cilët dyshohet se janë përdorur për koordinimin e lëvizjes së parave dhe takimeve fizike.
Isa Aliu, sipas hetimeve, është nisur nga Elbasani drejt Tiranës me porosi të vëllait të tij, Salvatore Aliut, për t’u takuar me Jetmir Pepajn, me qëllim dorëzimin e një shume prej 1 milion euro cash.
Sipas dosjes, dorëzimi i shumës 1 milion euro është kryer në garazhin e hotel “Plaza” në Tiranë nga një person i paidentifikuar, i referuar si “nipi” i Jetmir Pepajt.
Fillimisht, palët kishin diskutuar që takimi të bëhej në hotel “Oxford”, por sipas komunikimeve, Isa Aliu nuk ka mundur të shkojë aty për arsye praktike, pasi nuk kishte ku të linte automjetin e tij tip Porsche, duke e konsideruar më të sigurt garazhin e “Plaza”-s.
Më pas, më 8 nëntor 2020, sipas dosjes, është realizuar një tjetër dorëzim cash prej 200.000 eurosh midis palëve të përfshira.
Në materialet hetimore përfshihen edhe komunikime mes palëve, ku Jetmir Pepaj i përgjigjet me tone ironike shqetësimeve për sigurinë e automjetit Porsche, duke thënë se “Qerosi (Salvatore) blen tjetër dhe po jep lekë sa për 20 makina Porsche”.
Këto komunikime, sipas hetuesve, tregojnë jo vetëm lëvizje të mëdha financiare, por edhe një nivel të lartë besimi dhe bashkëpunimi mes anëtarëve të dyshuar të rrjetit.
Episodi i sekuestrimit të 1.05 ton kokainë në Kolumbi
dosjes, ngarkesa prej 1 ton e 50 kilogramë kokainë është sekuestruar në Kolumbia më 3 shkurt 2021 dhe kishte si destinacion final Francën.
Hetimet ndërkombëtare për këtë ngarkesë përfshijnë edhe letërporosi të dërguara autoriteteve të drejtësisë në Kolumbi dhe Ekuadori, ku është kërkuar informacion mbi itinerarin, organizimin dhe rrjetin e dyshuar të trafikut.
Sipas të dhënave të përftuara nga komunikimet në SKY ECC, rezulton se ngarkesa ishte organizuar nga Salvatore Aliu, ndërsa si porositës përmenden shtetasit shqiptarë Sokol Bibaj dhe Aleks Pepaj, si dhe Florjan Musaj alias Naum Filo.
Në komunikimet e datës 03.02.2021, Salvatore Aliu i dërgon një foto të një ngarkese të sekuestruar në media një prej kontakteve të tij, duke e shoqëruar me mesazhin se “ra ajo e Francës”, duke nënkuptuar destinacionin final të ngarkesës.
Në dosje përmenden edhe struktura të tjera të rrjetit, ku disa persona dyshohet se kanë pasur rol në nxjerrjen e ngarkesave nga portet dhe në transportimin e tyre drejt destinacioneve finale në Europë.
Sipas hetuesve, rrjeti kriminal ka funksionuar në mënyrë të ndërlidhur mes Amerikës së Jugut dhe Europës, duke përdorur porte në Kolumbi dhe Ekuador, si dhe rrugë detare drejt vendeve të BE-së.
Jetmir Pepaj është arrestuar në Dubai dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzat e ngritura nga SPAK.
Autoritetet shqiptare dhe ato ndërkombëtare vijojnë bashkëpunimin për identifikimin e plotë të rrjetit, ndërsa dosja konsiderohet ende në fazë hetimi dhe pritet të zgjerohet me të dhëna të reja nga letërporositë dhe komunikimet e përgjuara.
Hetimet po fokusohen gjithashtu në gjurmimin e pasurive të krijuara nga aktiviteti i dyshuar kriminal, të cilat dyshohet se janë investuar në Shqipëri dhe jashtë saj përmes skemave të pastrimit të parave dhe biznesve të ligjshme në dukje.

