
Dy shtetas të huaj janë gjetur pa shenja jete gjatë ditës së sotme në jug të vendit, në dy ngjarje të ndara që po hetohen nga policia.
Rreth orës 10:10, në ambientet e një hoteli, është gjetur pa shenja jete një shtetas italian, me inicialet G. P., rreth 81 vjeç. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme që mund të kenë shkaktuar vdekjen, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për autopsi mjekoligjore për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.
Ndërkohë, më heret, një tjetër rast është regjistruar në Sarandë, ku një shtetas grek është dërguar në spital pa shenja jete nga disa persona, të cilët pasi e lanë aty janë larguar me shpejtësi me një automjet të bardhë me targa greke. Viktima është identifikuar si Pavlos Simeriontakis, 48 vjeç, nga Athina.
Nga këqyrja paraprake e trupit të 48-vjeçarit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se shkak i vdekjes mund të ketë qenë një arrest kardiak. Megjithatë, trupi pritet të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për ekspertizë, për të përcaktuar shkakun real të vdekjes.
Policia po vijon hetimet për të dy rastet, ndërsa në rastin e shtetasit grek po punohet edhe për identifikimin e personave që e shoqëruan dhe e lanë në spital.

