
Ai pretendonte të ishte inspektori më i rreptë i IKMT-së, AKU-së dhe Tatim-Taksave në të njëjtën kohë… por në fakt, ishte vetëm një 26-vjeçar nga Saranda, i quajtur Luçiano Mahilaj, që siç duket dinte të bënte “kontrolle” pa u njohur askush.
Mahilaj, 26 vjeç, u kap në flagrancë në Sarandë teksa merrte 56,000 lekë të reja nga një qytetar i pafajshëm, duke u prezantuar si zyrtar i shtetit. Hetimet e mëtejshme zbuluan se ai kishte “inspektuar” mbi 35 biznese dhe subjekte tregtare në qytete të ndryshme të jugut, nga Gjirokastra e deri në Berat, duke përvetësuar nga 200 deri në 600 euro për çdo “kontroll të kryer me përpikmëri”.
Si rezultat i një hetimi të kryer me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Gjirokastrës, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të një shtetasi i cili mashtronte bizneset dhe subjektet tregtare duke u paraqitur si punonjës i IKMT-së, AKU-së, Tatim-Taksave etj., specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër dhe me Komisariatin e Policisë Sarandë, finalizuan operacionin e koduar “The End”.
Gjatë këtij operacioni, u kap në flagrancë, në qytetin e Sarandës, duke marrë nëpërmjet mashtrimit një shumë prej 56 000 lekë të reja nga një shtetas, dhe u vu në pranga shtetasi Luciano Mahilaj, 26 vjeç, banues në Sarandë.
Nga hetimet e kryera është dokumentuar se Mahilaj, ka mashtruar, me qëllim përvetësimin e shumave të parave, 35 biznese dhe subjekte tregtare në qytete të ndryshme si në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Himarë, Orikum, Fier, Berat etj, ku për çdo rast përfitonte shuma nga 200 deri në 600 euro.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, finalizuan operacionin “The End”, duke i dhënë fund lojërave të tij me “uniformën e imazhin e zyrtarit të shtetit”.
Sekuestrimi i parave dhe materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme. DVP Gjirokastër falënderon qytetarët dhe institucionet për bashkëpunimin dhe i inkurajon të denoncojnë çdo rast mashtrimi, sepse jo të gjithë “inspektorët” janë çfarë duket… / VERSUS

