
Një incident i pazakontë është regjistruar pak para mesnatës në Prizren, ku një e mitur dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrës.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ekrem Rexha”, në momentin kur një patrullë policore ishte ndalur pranë një pike karburanti.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se gjithçka nisi pasi e dyshuara, një 15-vjeçare, iu drejtua me fjalë fyese njërit prej efektivëve të policisë, teksa ai po hynte në marketin e pikës së karburantit.
Më pas situata ka eskaluar, ndërsa e mitura dyshohet se fillimisht e ka pështyrë në fytyrë zyrtarin policor dhe më pas e ka goditur me shqelm në këmbë.
Sipas raportimeve, edhe gjatë arrestimit ajo ka shfaqur rezistencë aktive, duke i shkaktuar lëndime njërit polic në syrin e majtë dhe në të dyja duart, ndërsa efektivit tjetër në pjesën e poshtme të të dy gjunjëve.
Pas arrestimit, 15-vjeçarja është shoqëruar në stacionin policor, ku fillimisht ka marrë ndihmë mjekësore nga ekipi emergjent. Ndërkohë, dy zyrtarët policorë të lënduar kanë marrë trajtim në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit.
Autoritetet pritet të vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.

