Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër persona për një skemë sofistikuar mashtruese që targetonte turistët dhe vizitorët që kërkuan të merrnin me qira automjete në Tiranë.
Sipas aktakuzës, Arsid Kurtaj dhe Orest Kurtaj kishin hapur fiktivisht një faqe interneti të quajtur "Autorental Tirana" ku reklamoheshin automjete të ndryshme për dhënie me qera.
Përmes një numri telefoni të regjistruar në emër të një persone të tretë, ata kontaktonin me klientë dhe merrnin pagesat për qiratë.
Pasi merrnin paratë, të pandehurit nuk dërgonin asnjë automjet në destinacionin e kërkuar, duke i lënë në baltë qindra vizitorë.
Në masshtrim ishin përfshirë edhe shtetasja M.P., punonjëse pranë subjektit "F.K" PF, e cila ofroi numrin e celularit të regjistruar në emër të një persone të tretë pa dijeninë e tyre, dhe shtetasi A.K., administrator i subjektit "ERGI-2012" me aktivitet "Transferta Parash", i cili nënshkruante formularët e tërheqjes së parave të mashtruara.
Të pandehurit akuzohen për mashtrimin në bashkëpunim më shumë se një herë dhe falsifikimin e dokumenteve. Çështja penale është dërguar në Gjykatën e Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër, ku do të mbahet gjyqi.
Njoftim i Prokurorisë së Shkodrës
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit Arsid Kurtaj dhe Orest Kurtaj për veprën penale ‘Mashtrimi’ i kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, parashikuar nga neni 143, paragrafi i dytë i Kodit Penal, shtetasen M.P. për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190, paragrafi i tretë i Kodit Penal dhe shtetasin A.K. për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, të kryer më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të procedimit penal nr.71, të vitit 2024, rezultoi se, se të pandehurit Arsid Kurtaj dhe Orest Kurtaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë hapur fiktivisht një faqe interneti “Autorental Tirana”, ku kanë reklamuar automjete të ndryshme për dhënie me qera.
Për të kontaktuar me personat të cilët shfaqnin interes për marrjen e këtyre automjeteve me qera ata kanë përdorur një numër telefoni të regjistruar në emër të një personi të tretë dhe pasi kanë marrë pagesat nga personat që kanë rezervuar automjetet, të pandehurit nuk ju kanë dërguar në destinacionin e kërkuar automjetet.
Ndërsa e pandehura M.P, duke qenë punonjëse pranë subjektit “F.K” PF, ka dhënë numrin celular që kanë përdorur të pandehurit, duke e regjistruar në emër të një personi të tretë, i cili nuk kishte dijeni mbi këtë numër celulari.
I pandehuri A.K., është administrator i subjektit “ERGI-2012”, me objekt aktiviteti ndër të tjera “Transferta parash”, ka nënshkruar në formularët e tërheqjes së shumave të parave, në rekuizitën e “marrësi”, në emër të shtetasit A.K., të shumave të parave që persona të ndryshëm kanë dërguar tek shtetasi A.K, për marrjen e mjeteve me qira.
Në lidhje me këtë ngjarje pasi janë kryer veprimet hetimore dhe procedurale, për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivin dhe çështja penale në ngarkim të këtyre shtetasve është dërguar në Gjykatën e Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër./Versus.al

