
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për çështjen penale ndaj katër të pandehurve të akuzuar për trafik armësh dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
Çështja u shqyrtua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, ndërsa vendimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Rudina Palloj dhe Atalanta Zeqiraj.
Sipas vendimit, të pandehurit Adulla Hoxhaj, Admir Tutaj dhe Bojken Turtulli u shpallën fajtorë për veprat penale “trafikimi i armëve dhe municionit” në tentativë, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për akuza të tjera të lidhura me armëmbajtje pa leje.
Pas bashkimit të dënimeve dhe uljes me 1/3 në bazë të gjykimit të shkurtuar, Gjykata caktoi përfundimisht dënimin me 8 vite e 8 muaj burg për Adulla Hoxhaj, ndërsa Admir Tutaj dhe Bojken Turtulli u dënuan secili me nga 8 vite burg.
Ndërkohë, i pandehuri Rifat Avdiaj u shpall i pafajshëm, pasi gjykata vlerësoi se nuk u provua përfshirja e tij në veprat penale për të cilat akuzohej. Për të u urdhërua heqja e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe lirimi i menjëhershëm nga paraburgimi.
Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e një sasie të konsiderueshme armësh, municionesh dhe pajisjesh të sekuestruara gjatë hetimeve, ndërsa disa materiale të tjera do të trajtohen në procedime të veçanta hetimore.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Posaçëm brenda afatit ligjor prej 15 ditësh.
Njoftimi i GJKKO
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve: Adulla Hoxhaj, Admir Tutaj, Rifat Avdiaj dhe Bojken Turtulli”.
Gjykimi i kësaj çështjeje është zhvilluar me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Rudina Palloj dhe Atalanta Zeqiraj, me vendimin nr. 46, datë 03.06.2026, vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Adulla Hoxhaj, për kryerjen e veprës penale të “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/a/1-22 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, si edhe në bazë të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Adulla Hoxhaj, për kryerjen e veprës penale të “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Adulla Hoxhaj, për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në banesë, të parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal, lidhur me armët e sekuestruara në banesë gjatë ekzekutimit të masës së sigurimit personal më datë 1.8.2024, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Adulla Hoxhaj, për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në banesë, të parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal, lidhur me 367 fishekë luftarakë të sekuestruar më datë 1.8.2024, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Adulla Hoxhaj, për kryerjen e veprës penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal, lidhur me 50 fishekë sportivë të sekuestruar më datë 1.8.2024, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
6. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, Adulla Hoxhaj dënohet me një masë të vetme prej 13 (trembëdhjetë) vitesh burgim.
7. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vite e 8 (tetë) muaj burgim.
8. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit dhe kryhet në një nga burgjet e sigurisë së lartë.
9. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Rifat Avdiaj për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë, në formën e veçantë të bashkëpunimit, pasi nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën që akuzohet.
10. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Rifat Avdiaj për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, pasi nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën që akuzohet.
11. Urdhërohet heqja e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj të pandehurit Rifat Avdiaj dhe lirimi i menjëhershëm nga paraburgimi, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër të ligjshëm.
12. Deklarimin fajtor të të pandehurit Admir TUTAJ për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.
13. Deklarimin fajtor të të pandehurit Admir TUTAJ për “Grup i strukturuar kriminal”, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
14. Në bashkim të dënimeve, Admir Tutaj dënohet me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.
15. Në zbatim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vite burgim.
16. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit dhe kryhet në një nga burgjet e sigurisë së lartë.
17. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bojken TURTULLI për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.
18. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bojken TURTULLI për “Grup i strukturuar kriminal”, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
19. Në bashkim të dënimeve, Bojken Turtulli dënohet me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.
20. Në zbatim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vite burgim.
21. Lidhur me provat materiale, gjykata vendos konfiskimin e sendeve të sekuestruara Adulla Hoxhajt sipas procesverbalit të datës 01.08.2024 (armë zjarri, municione, pajisje dhe materiale të tjera të përshkruara në vendim).
22. Disa prova materiale dhe pajisje elektronike i lihen për procedime të ndara hetimore, ndërsa disa sende i kthehen të pandehurve përkatës sipas përcaktimeve të gjykatës.
23. Shpenzimet hetimore dhe gjyqësore u ngarkohen të pandehurve të shpallur fajtor.
24. Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.Versus.al

