
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim prezantues me ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, ku u vlerësua bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e rendit dhe sigurisë.
Hita shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë, duke veçuar programet dhe projektet që po zbatohen në funksion të forcimit të kapaciteteve të Policisë së Shtetit, si Programi për Forcimin e Policimit në Komunitet (SCPA), si dhe ndihmën në fusha si policia shkencore, policia rrugore dhe Akademia e Sigurisë.
Ai theksoi se partneriteti i ndërtuar mbi besim të ndërsjellë ka sjellë rezultate konkrete në disa fusha me rëndësi të lartë publike, përfshirë luftën kundër terrorizmit, policimin në komunitet, drejtësinë për të miturit, luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe shkëmbimin e informacionit.
“Vizioni im është për një Polici të Shtetit gjithnjë e më të mirëshkolluar, më të trajnuar dhe më profesionale, për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë së kohës”, u shpreh Hita gjatë takimit.
Nga ana e tij, ambasadori Ström vlerësoi arritjet e deritanishme dhe rikonfirmoi angazhimin e Mbretërisë së Suedisë për të vijuar mbështetjen në procesin e modernizimit të Policisë së Shtetit dhe përafrimit me standardet evropiane.
Në takim u diskutuan gjithashtu perspektivat e bashkëpunimit në kuadër të projekteve ekzistuese, me fokus përdorimin e teknologjive bashkëkohore në Policinë Rrugore, forcimin e hetimit të dhunës seksuale dhe me bazë gjinore, si dhe rritjen e kapaciteteve për hetimin e vendngjarjeve dhe policimin e drejtuar nga inteligjenca. Versus.al

