AKTUALITET /

Brukseli miraton heqjen e roaming-ut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i hapet rruga çeljes së negocitatave mes vendeve të rajonit

Sipas burimeve nga Këshilli i Bashkimit Evropian, ambasadorët e vendeve anëtare kanë miratuar nisjen e negociatave për heqjen e roaming-ut me Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë

Shkruar nga Versus

Brukseli miraton heqjen e roaming-ut mes BE-së dhe Ballkanit

Bashkimi Evropian ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt eliminimit të tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të bllokut evropian.

Vendimi pritet të marrë miratimin formal nga Këshilli i BE-së më 4 qershor, çka do t’i hapë rrugë negociatave individuale me secilin prej vendeve të rajonit.

Nga Presidenca e Bashkimit Evropian është vlerësuar se zgjerimi i zonës pa roaming përbën një sinjal të qartë të mbështetjes së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Zgjerimi i zonës pa roaming është një shenjë e qartë e përkushtimit tonë ndaj rajonit. Mirëpresim miratimin formal të vendimit që autorizon hapjen e negociatave për këto marrëveshje”, është shprehur një zëdhënës i Presidencës së BE-së.

Nisma vjen pasi Komisioni Evropian propozoi në muajin shkurt zgjerimin e skemës “Roam Like at Home” edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo politikë, e cila zbatohet në vendet e Bashkimit Evropian që prej vitit 2017, u mundëson qytetarëve të përdorin telefoninë celulare gjatë udhëtimeve në shtetet e tjera anëtare pa tarifa shtesë për thirrjet, mesazhet dhe internetin.

Zyrtarët evropianë synojnë që negociatat të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Nëse procesi ecën sipas planifikimit, qytetarët e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë nga heqja e plotë e tarifave roaming me vendet e BE-së duke filluar nga viti i ardhshëm.

Masa pritet të lehtësojë komunikimin dhe lëvizjen e qytetarëve në Evropë, si dhe të forcojë më tej integrimin ekonomik dhe digjital të rajonit me Bashkimin Evropian. Versus.al

Poll