Një 30 vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht mbrëmjen e së premtes, më 20 mars, në periferi të Arezzo, në zonën Bivio di Olmo, pak para mesnatës.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, Gjergj Përgegaj u vra pas një konflikti që dyshohet se kishte nisur brenda lokalit.
Viktima u qëllua me armë zjarri disa herë, duke marrë plagë të rënda në qafë, dhe ndërroi jetë brenda pak minutash, pa mundur të transportohej në spital.
Autori gjithashtu shqiptar u arrestua pak pas ngjarjes.
Pas krimit, ai u largua me një makinë Audi të bardhë drejt zonës së Rigutinos, ku u kap nga policia në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Forcat e rendit, përfshirë policinë lokale, karabinierët dhe ambulancat, mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes.
Zona u rrethua dhe u kryen kontrolle të shumta për të kapur autorin dhe për të mbledhur prova nga vendi i krimit.
Hetimet e para sugjerojnë se motivi i ngjarjes mund të jetë për shkak të një romance.
Sipas një rekonstruksioni fillestar, autori mund të ketë parë viktimën duke biseduar me ish-të dashurën e tij pak para vrasjes, çka mund të ketë çuar në përshkallëzimin e situatës.
Megjithatë, hetimet vazhdojnë për të sqaruar detajet e plota dhe për të konfirmuar shkakun e saktë të ngjarjes.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe autoritetet italiane po punojnë intensivisht për të dokumentuar çdo aspekt të saj, duke përfshirë dëshmitë e banorëve dhe materialet e sigurisë nga zonat përreth./Versus.al

