Policia e Sarandë ka vënë në pranga dy shtetas, Renato Makri dhe Ilir Prenga, të akuzuar për shitje të lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i tyre u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Kamuflimi”, i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, pas një pune intensive operative dhe hetimore.
Nga hetimet rezultoi se dy të arrestuarit ushtronin aktivitet të paligjshëm në fushën e narkotikëve në ambientet e një lavazhi automjetesh në rrugën “Idriz Alidhima”, të cilin e kishin përshtatur si bazë për shpërndarjen e drogës.
Gjatë kontrollit në këtë ambient, policia sekuestroi rreth 1 kilogram lëndë narkotike cannabis sativa, si dhe materiale të tjera që shërbenin për ndarjen dhe paketimin e saj. Konkretisht, u gjetën edhe dy targa automjetesh, një targë motomjeti dhe letër alumini.
Si rezultat i operacionit, u bë e mundur kapja në flagrancë e dy shtetasve, përkatësisht 51 dhe 22 vjeç, banues në Sarandë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.

