Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përgjatë zonës ku protestojnë çdo ditë qytetarët, janë vendosur disa flamuj izraelitë. Për këtë gjest, eksperti i IT, Besmir Semanaj dhe shumë personazhe të tjerë publikë kanë bërë thirrje që protestuesit të kenë kujdes dhe të mos tentojnë të prekin ndonjë prej flamujve.
Sipas tyre, ky është një “kurth” i organizuar nga kryeministri Edi Rama për të paraqitur protestuesit si “antisemitë dhe për të njollosur protestën”.
“Kujdes! Ky mund të jetë një kurth i organizuar nga Rama. Asnjë flamur nuk duhet të preket. Nëse shihni dikë që tenton ta bëjë, ndalojeni dhe distancohuni.
Rama po përpiqet të përdorë situatën për të na paraqitur si antisemitë dhe për të njollosur protestën. Ruani qetësinë dhe mos bini pre e provokimeve”- shkruan Semanaj.
Ndërkohë, disa prej komentuesve bëjnë me dije se flamujt izraelitë tanimë janë hequr. Versus.al

