AKTUALITET /

FOTO/ Vrasja në Paskuqan, policia publikon foton e autorit dhe ofron 10 mijë euro shpërblim kush jep informacion: Mos ndërhyni, është i rrezikshëm!

Uniformat blu përsërisin thirrjen që qytetarët të mos përpiqen ta ndalojnë apo përballen vetë me të dyshuarin, por të njoftojnë menjëherë policinë në numrin celular të dedikuar 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112

Shkruar nga Versus

FOTO/ Vrasja në Paskuqan, policia publikon foton e autorit dhe ofron 10

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka intensifikuar operacionin për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi në Kamëz, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me autoritetet për lokalizimin e tij.

Për çdo informacion të vlefshëm që çon në arrestimin e të dyshuarit, policia ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh.

Në një apel urgjent drejtuar banorëve të Kamzës dhe zonave përreth, policia, teksa ka publikuar foton e autorit, thekson se 39-vjeçari Sadik Llanaj, i shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë, konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe dyshohet se mund të jetë ende i armatosur.

Për këtë arsye, qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos ndërmarrin asnjë veprim individual në rast se e konstatojnë ose kanë dijeni për vendndodhjen e tij.

Sipas autoriteteve, kërkimet për kapjen e Llanajt po zhvillohen me intensitet të lartë dhe përfshijnë një numër të madh forcash policore. Në operacion janë angazhuar efektivët e RENEA, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit, si dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Kontrollet po zhvillohen në disa zona të dyshuara, ndërsa hetuesit po punojnë për të siguruar çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin dhe arrestimin e të kërkuarit.

Ngjarja që tronditi Kamzën ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat e rendit, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e krimit dhe për të siguruar provat e nevojshme për procedimin penal të autorit të dyshuar.

Në kuadër të operacionit, Policia e Tiranës ka vendosur në dispozicion të qytetarëve një linjë të dedikuar komunikimi, duke garantuar ruajtjen e konfidencialitetit për çdo person që jep informacion. Autoritetet theksojnë se çdo e dhënë, edhe nëse duket e parëndësishme, mund të rezultojë vendimtare për lokalizimin e 39-vjeçarit.

Uniformat blu përsërisin thirrjen që qytetarët të mos përpiqen ta ndalojnë apo përballen vetë me të dyshuarin, por të njoftojnë menjëherë policinë në numrin celular të dedikuar 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112.

Ndërkohë, operacioni për kapjen e Sadik Llanajt vijon pa ndërprerje, ndërsa policia mbetet në gatishmëri të plotë deri në arrestimin e tij dhe vënien përpara drejtësisë për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën 27-vjeçari Ardian Baloshi.Versus.al

Poll