
Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur këtë të hënë të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësimin e masës dhe lirimin nga paraburgimi.
Gjatë seancës së zhvilluar në Apelin e GJKKO-së, Beqaj kërkoi nga trupi gjykues që t’i mundësohej komunikimi me avokatin e tij pranë kafazit të sigurisë. Megjithatë, në përfundim të shqyrtimit të kërkesës, gjykata vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë, duke e lënë ish-ministrin në qeli.
Ilir Beqaj ndodhet në paraburgim në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen “SASPAC” dhe çështjen e shumëdebatuar të koncesionit të sterilizimit. Ai u arrestua më 4 korrik 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet për abuzim me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë Shtetërore për Koordinimin e Ndihmës së Huaj.
Ish-ministri është një nga personat nën hetim në një prej dosjeve më të rëndësishme të SPAK-ut, që lidhet me mënyrën e administrimit të fondeve publike dhe procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit. Sipas akuzave të ngritura nga organi i akuzës, Beqaj dyshohet për shkelje të ligjit në ushtrimin e funksioneve të tij publike.
Më herët, SPAK e kishte marrë zyrtarisht të pandehur ish-ministrin për çështjen e sterilizimit, një kontratë koncesionare me vlerë rreth 100 milionë euro, e cila prej vitesh është në qendër të debatit publik dhe hetimeve. Fillimisht ndaj tij u caktuan masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” dhe “Ndalim i daljes jashtë vendit”, por zhvillimet e mëvonshme të hetimit çuan në arrestimin e tij.Versus.al

