
Një tjetër kapitull arratie mbyllet me pranga. Në vijim të operacioneve për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me partnerët spanjollë, kanë finalizuar ekstradimin e një 26-vjeçari të akuzuar për veprimtari të rëndë kriminale.
Bëhet fjalë për shtetasin A. Z., banues në Milot, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, që kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë kultivimin e bimëve narkotike, prodhimin dhe shitjen e tyre, si dhe përfshirjen në grup të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, gjatë vitit 2023, në zona të thella dhe të vështira të qarkut Shkodër – konkretisht në fshatin Kir të Njësisë Administrative Pult dhe në zona pranë Thethit – i riu, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka ngritur një aktivitet të organizuar për kultivimin e lëndëve narkotike, ku janë evidentuar plot 10 900 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.
Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madrid, si dhe shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit, u bë i mundur lokalizimi i tij në Spanjë, arrestimi dhe më pas ekstradimi drejt Shqipërisë.
Tashmë, 26-vjeçari do të përballet me drejtësinë shqiptare, ndërsa operacioni “The Wanted” vijon për kapjen e personave të tjerë në kërkim.

