
VLORË – Një 18-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Vlorës, pasi u kap në flagrancë me një sërë sendesh të dyshuara si të paligjshme, mes tyre edhe kartëmonedha që dyshohet të jenë të falsifikuara.
Arrestimi u bë nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilat, në vijim të kontrolleve intensive në terren dhe mbi bazën e informacioneve operative, ndërhynë në lagjen “Lef Sallata”, ku bënë të mundur kapjen e shtetasit E. H., 18 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj të riut, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një pistoletë të llojit çakmak, një maskë prej materiali sintetik, një përforcues grushti metalik, si dhe disa kartëmonedha në euro dhe dollarë amerikanë, të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara.
Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për vijimin e hetimeve, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Falsifikimi i monedhave”.

