AKTUALITET /

Goditet banda e vjedhjes së automjeteve në Greqi, arrestohen 11 shqiptarë dhe 2 grekë

Sipas autoriteteve, grupi kriminal vepronte që nga marsi i vitit 2023, duke vjedhur automjete në zona të ndryshme të kryeqytetit grek.

Shkruar nga Versus

Goditet banda e vjedhjes së automjeteve në Greqi, arrestohen 11

Policia greke ka goditur një organizatë kriminale që merrej me vjedhjen e automjeteve, falsifikimin e dokumenteve dhe shitjen e tyre në tregun e zi. Gjatë një operacioni të zhvilluar në zona të ndryshme të Athinës, u arrestuan 13 persona, mes tyre 11 shtetas shqiptarë dhe 2 grekë.

Sipas autoriteteve, grupi kriminal vepronte që nga marsi i vitit 2023, duke vjedhur automjete në zona të ndryshme të kryeqytetit grek. Më pas, anëtarët e organizatës ndryshonin numrat e shasisë, falsifikonin dokumentacionin dhe i nxirrnin automjetet në shitje si mjete të ligjshme.

Hetimet zbuluan gjithashtu se disa prej të dyshuarve deklaronin në mënyrë të rreme vjedhjen e automjeteve për të përfituar kompensime nga kompanitë e sigurimit.

Gjatë operacionit policor u sekuestruan 36 automjete, nga të cilat 19 rezultuan të vjedhura dhe me dokumente të falsifikuara. Po ashtu, në banesat e të arrestuarve u gjetën pajisje për kopjimin e çelësave të makinave, sisteme elektronike diagnostikimi, mjete për hapjen e bravave, pajisje gjurmimi, telefona celularë, kompjuterë, armë imituese dhe rreth 30 mijë euro.

Sipas policisë greke, deri tani janë dokumentuar 33 raste vjedhjeje automjetesh dhe 9 raste mashtrimi me siguracionet. Fitimi i paligjshëm i organizatës vlerësohet të ketë arritur në rreth 1 milion euro.

Të arrestuarit janë dërguar para autoriteteve gjyqësore, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e rasteve të tjera dhe personave të përfshirë në aktivitetin kriminal.Versus.al

Poll