
Aktivisti Arben Kola ka reaguar gjatë protestës së mbrëmjes, duke mohuar zërat për përçarje mes grupeve organizatore dhe nismëtarëve të lëvizjes qytetare që prej ditësh po proteston në Tiranë.
Në fjalën e tij para protestuesve, Kola tha se raportimet për ndarje brenda organizimit nuk qëndrojnë dhe se situata e krijuar pas marshimit drejt Rinasit një natë më parë lidhet vetëm me keqkuptime mes pjesëmarrësve.
Sipas tij, protesta mbështetet nga dhjetëra grupe brenda vendit dhe qindra të tjera jashtë Shqipërisë, të cilat vijojnë të jenë të bashkuara rreth kauzës së tyre.
“Nismëtarë në letra janë tre, ndërsa organizatorët janë 40 grupe brenda atdheut dhe 200 grupe jashtë tij. Nuk jemi të përçarë, thjesht ka pasur keqkuptime mes të rinjve që morën pjesë në marshim”, deklaroi Kola.
Ai akuzoi gjithashtu një pjesë të mediave se po përpiqen të krijojnë perceptimin e përçarjes mes protestuesve, ndërsa bëri thirrje për ruajtjen e unitetit dhe vazhdimin e protestës.

