Ndërkohë që biznesmeni Ergys Agasi është në kërkim për dhjetëra milionë euro që përfunduan në xhepat e tij nga skandali i AKSHI-t, babai i tij Bardhyl Agasi është nderuar në Durrës nga vetë kryebashkiakja Emiriana Sako.
Mësohet se gjatë një ceremonie në ambientet e bashkisë së Durrësit, Sako dhe numri 2 i PS, Blendi Klosi kanë nderuar me certifikatë mirënjohje disa personalitete dhe themelues të PS, mes të cilëve edhe babai i Ergys Agasit.
Ky i fundit kërkohet nga SPAK për disa vepra penale mes të cilave dhe rrëmbimi, shkelje e barazisë në tendera dhe korrupsion.
"Së bashku me drejtuesin politik Blendi Klosi, kryetarin e PS Durrës Luan Zaza dhe deputetët, zhvilluam një ceremoni të veçantë në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste , ku nderuam me certifikata mirënjohjeje personalitete, themelues dhe kontribuues ndër vite të PS Durrës. Me respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që, me përkushtim, sakrificë dhe besim, ndërtuan dhe forcuan këtë familje të madhe politike, duke dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e qytetit dhe të vendit tonë. Ky përvjetor është një moment reflektimi mbi rrugëtimin tonë, por edhe një motivim për të vijuar punën me të njëjtin vizion, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve.", shkruan Sako.
Bardhyl Agasi ka qenë deputet socialist në Kuvend gjatë viteve ‘90, ndërkohë që ka drejtuar dhe degën e PS-së në Durrës. Versus.al

